Lajmet e fundit

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, me rastin e ditës Botërore kundër duhanit bën thirrje që të merren masa parandaluese për vetëdijësimin dhe ndalimin e konsumimit të duhanit nga fëmijët, ekspozimit të fëmijëve ndaj tymit të duhanit, si dhe kufizimin e qasjes së fëmijëve për blerjen e duhanit.
"Në Kosovë, tri të katërtat (78%) e meshkujve dhe gjysma e femrave (47%) raportojnë të kenë përdorur ndonjëherë produkte duhani, 34% e meshkujve dhe 19% e femrave kanë tymosur cigare, apo kanë përdorur produkte duhani të tymosura apo të pa tymosura gjatë muajit të fundit (burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës). Një e pesta (18%) e femrave dhe më shumë se një e treta e meshkujve (37%) të moshës 15-49 vjeçare që aktualisht tymosin duhan, jetojnë në të njëjtat ekonomi familjare me së paku një fëmijë nën moshën pesë vjeçare".
"Fëmijët në Kosovë janë të ekspozuar dhe të rrezikuar edhe nga pirja pasive e duhanit. Pirja pasive e duhanit nënkupton thithjen e tymit që vjen nga dikush tjetër që pi duhan, qoftë në familje, lokale afariste apo ambiente të tjera. Fëmijët e ekspozuar ndaj pirjes pasive të duhanit në familje kanë një rrezik më të madh të marrjes së infeksioneve dhe sëmundjeve të mushkërive, duke përfshirë bronkitin, pneumoninë si dhe sëmundjet kardiovaskulare. Pirja e duhanit gjatë shtatëzanisë është faktor rreziku i lindjeve të foshnjeve me peshë të ulët".
Sipas KOMF, edhe pse në vitin 2008 Kosova ka miratuar Ligjin për Kontrollin e Duhanit, megjithatë qytetarët e Kosovës në masë të madhe shkelin ligjin kundër pirjes së duhanit, transmeton Klan Kosova.