Lajmet e fundit

Futbollistët e ekipit kombëtar do të mbërrijnë sot në mesditë në Tiranë, pas mbylljes së aventurës në Kampionatin Europian të Futbollit.
Me këtë rast në kryeqytet do të organizohen disa aktivitete, duke nisur nga pritja në aeroport në orën 15:30, ku do të ketë edhe një ceremoni mirëseardhjeje, shkruan Shekulli.
Më pas autobusi i Kombëtares do të udhëtojë drejt Tiranës, i shoqëruar nga transmetim live në shumë televizione.
Ndalesa e parë në kryeqytet për djemtë e Kombëtares do të jetë Bashkia e Tiranës, ku do të zhvillohet ceremonia e dhënies së çelësit të qytetit.
Pastaj lojtarët do të jenë në Ministrinë e Jashtme për të plotësuar procedurat për marjen e pasaportave diplomatike, të premtuara nga kryeministri Rama pas fitores ndaj Rumanisë.
Vetë Rama do ta presë ekipin në qendrën COD të selisë së qeverisë, përpara se lojtarët të shkojnë në “Fan Zone”, në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të jetë edhe stacioni i fundit i ceremonialit për Kombëtaren.