Evakuimi më i madh në Këln të Gjermanisë që nga Lufta e Dytë Botërore është duke u zhvilluar, pasi janë gjetur tri bomba të pashpërthyera, të hedhura 80 vjet më parë.
Sipas The Guardian, rreth 20 mijë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë dhe bizneset e tyre, teksa po evakuohen gjithashtu edhe hotele, një shtëpi për të moshuar dhe një spital.
Po ashtu, tri ura mbi Lumin Rhine janë mbyllur ndërsa shumë shkolla, çerdhe, muze dhe rrjeti i tramvajeve dhe po ashtu shtëpia e orkestrës filharmonike të qytetit janë mbyllur pasi i gjithë qyteti i vjetër është bllokuar, transmeton Klankosova.tv.
Bombat pritet të çaktivizohen mëngjesin e së mërkurës, teksa bëhet e ditur se ato janë prodhim amerikan, ku dy prej tyre peshojnë nga 20 tonë dhe një tjetër 10 tonë.
Ato janë zbuluar të hënën në bregun e lumit Rhine, gjatë punimeve ndërtimore pranë kantierit të anijeve, ku te tri bombat janë të pajisura me ndezës me ndikim, të krijuar për të shpërthyer në kontakt me një sipërfaqe të fortë.
Vullnetarë, policia dhe autoritetet e tjera të qytetit do të bëjnë një kontroll të përgjithshëm mëngjesin e së mërkurës, duke trokitur nëpër dyer, thirrur nga kutitë postare dhe duke mbledhur informacione nga banorët për fqinjët e tyre, përpara se të fillojë përpjekja për çaktivizimin e bombave, transmeton Klankosova.tv.
Policia ka bërë të ditur se ka autoritetin të përdorë forcën për të larguar këdo që refuzon të largohet vullnetarisht. Banorët mund të telefonojnë një linjë ndihmëse ose të vizitojnë një faqe interneti për këshilla.
Autoritetet lokale kanë njoftuar se çadra dhe ambiente të tjera si palestra sportive dhe kisha jashtë zonës së evakuuar do të jenë të hapura për të ofruar ushqim, pije dhe mbështetje për banorët.
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.