30.12.2015 · përditësuar para 3868 dite1 min lexim
Ata që e pinë cigaren e dinë efektin e menjëhershëm anësor: kollën. Specialistët e shëndetit publik në Britaninë e Madhe thonë se kjo simptomë nuk duhet neglizhuar, pasi mund të jetë shenjë e një sëmundjeje të pakurueshme të mushkërive.
Sipas statistikave të Shëndetit Publik në Britani, më shumë se një milion njerëz jetojnë me COPD (sëmundja kronike bllokuese e mushkërive), një term që përdoret për probleme si bronkiti kronik apo emfizema, të cilat shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje edhe në aktivitetet e përditshme si ngjitja e shkallëve.
Statistikat tregojnë se nga 25 mijë raste vdekjesh që shënohen nga sëmundja në Angli çdo vit, 90 për qind e tyre shkaktohen nga duhani.
Edhe pse për sindromën COPD nuk ka një kurë, ndryshimi i stilit të jetesës dhe mjekimet mund ta ngadalësojnë përparimin e saj.
“COPD është një sëmundje serioze e mushkërive, e njohur pjesërisht. E vetmja gjë që mund të bëjnë duhanpirësit për të ulur mundësinë e prekjes prej saj është të lënë cigaren”, thotë ekspertja Sally Davies.
Specialistët thonë se kolla e duhanit nuk duhet neglizhuar asnjëherë, pasi më shumë se çdo gjë tjetër është shenjë e dëmtimit të mushkërive./ Shekulli Online
●●●
Shpërndaje këtë artikull
V
SHKRIMI NGA
V.R.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek shëndet dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.