Lajmet e fundit

Arianit Koci, avokati i Sami Lushtakut tha se kryetarit të Skenderajt pas lirimit nga burgu i takon kompensim për kohën që kaloi prapa grilave.
Sipas legjislacionit penal në Kosovë, u njihet e drejta e kompensimit të akuzuarve që kanë qëndruar në arrest shtëpiak, paraburgim apo kanë shkuar në vuajtje të dënimit e më pas janë shpallur të pafajshëm.
Avokati i Lushtakut, Arianit Koci në një prononcim për KALLXO.com megjithëse konstaton që Lushtakut asgjë nuk mund t’ia kompensojë 4 vjetët e humbur, thotë se kryetarit të Skenderajt i takon kompensim.
“Burgu është shumë i vështirë kur je i pafajshëm dhe akuzohesh me prova të rrejshme. Sidoqoftë kompensimi ligjor për vuajtjet e shkaktuara me këtë procedim penal të padrejtë i takon Sami Lushtakut. Ne ende nuk e kemi biseduar këtë me Samiun, sepse kemi pasë prioritete të tjera, por kompensimi për dëmin e shkaktuar moral dhe material i takon z. Lushtaku”, tha Koci.
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në maj të vitit 2015 me 12 vjet burg për akuzën e vrasjes.