Lajmet e fundit

Avokati i Sami Lushtakut, Arianit Koci, ka bërë me dije se vendimi i Gjykatës së Apelit në rastin “Kleçka” ia ka forcuar besimin se kjo gjykatë do të marrë një vendim të drejtë edhe për klientin e tij në rastin “Drenica”.
Ai ka thënë se argumentet që ai ia ka ofruar kësaj gjykate e bëjnë të besojë se do të ketë një aktgjykim lirues për ish-komandantin e Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku.
Koci ka vlerësuar se e vërteta është në anën e Lushtakut.
“Vendimi i Gjykatës se Apelit në rastin ‘Kleçka’ është rast shkollor i një vendimi të drejtë dhe profesional. Ky aktgjykim e ka forcuar besimin tim në gjyqësinë ndërkombëtare dhe vendore.
Pres që në të njëjtën frymë ta kemi edhe vendimin e Gjykatës së Apelit në rastin e Lushtakut”, ka thënë Koci për Epokën e Re.
Ai ka shprehur besimin e tij se kolegji i shkallës së dytë do ta përmirësojë gabimin e trupit gjykues të shkallës së parë. Sipas Kocit, dënimi i Lushtaku është rast unik në botë.
“Kolegji i Gjykatës së Apelit na ka dëgjuar me vëmendje dhe argumentet i kemi pasur shumë të forta. Mbi të gjitha, e vërteta është në anën tonë. Prandaj, besoj se kolegji i shkallës së dytë do ta përmirësojë gabimin e trupit gjykues të shkallës së parë. Thjesht, me një dëshmi dhe me këtë kualitet të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur, pa asnjë provë tjetër materiale, nuk kam mundur të gjej që sa muaj asnjë aktgjykim të tillë në botë. Dënimi i Lushtaku është rast unik në botë”, është shprehur ai.
Më tej, Koci ka vazhduar ta kritikojë aktgjykimin e shkallës së parë për dënimin e Lushtakut, duke e cilësuar atë si absurd juridik.
“Të dënohet një person për vrasje, duke u bazuar në dëshminë e vetëm një dëshmitari, pa u ditur identiteti i kinse të vrarit, pa u gjetur kufoma e kinse të vrarit, pa u ditur saktësisht se kur ka vdekur personi anonim dhe pa u gjetur mjeti i kryerjes së veprës penale - vrasje, është thjesht absurd juridik. Nonsens juridik dhe faktik. Në të njëjtën kohë, dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur është kundërshtuar nga ana e disa dëshmitarëve, ku dy prej tyre kanë qenë dëshmitarë që i ka caktuar vetë gjykata ex-offitio”, ka thënë Koci.