Lajmet e fundit

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Imri Ahmeti, ka bërë me dije të dielën se koalicioni qeverisës LDK - PDK është stabil dhe nuk do të prishet.
Sipas Ahmetit, pakënaqësitë e individëve të caktuar brenda subjekteve politike nuk janë reflektim i qëndrimeve të partnerëve të koalicionit.
“E rëndësishme është tërësia dhe jo individualiteti i askujt dhe në kuadër të kësaj e shoh që për shoqërinë e Kosovës është e nevojshme të vazhdojë ky koalicion për t’i përmbushur objektivat dhe detyrimet që ka marrë jo vetëm ndaj qytetarëve, por edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare. Prandaj tani për tani koalicioni nuk ka mundësi të prishet. Megjithatë, mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat në të ardhmen”, ka theksuar ai.
Ahmeti ka paralajmëruar se procesi i riformatimit të Qeverisë do të ndodhë gjatë këtyre ditëve, megjithatë ai është skeptik se me ndërrimin e disa ministrave do të mund të ketë rezultate në mirëqenien e qytetarëve.