Lajmet e fundit

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka thënë se autoritetet qeveritare duhet mos t’i pengojnë zyrtarët serb që të hyjnë në Kosovë por që ta shfrytëzojnë rastin që kur të hyjnë t’i arrestojnë ata, duke përmendur rastin e fundit të ndalimit të gjeneralit serb Lubisha Dikoviq dhe liderit radikal serb Vojisllav Sheshel.
“Autoritetet kosovare po reagojnë me vonesë ndaj histerisë dhe pranisë së Serbisë në Kosovë duke e dëmtuar rëndë drejtësinë për viktimat e luftës në Kosovë sepse,duke ua ndaluar hyrjen në Kosovë të dyshuarve serbë për krime lufte në fakt ata po shfajësohen për këto krime. Gjeneralët Dikoviq dhe Bojoviq domosdoshmërisht duhet të ndiqen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në bazë të përgjegjësisë komanduese ushtarake sikur edhe udhëheqësi paramilitar i ‘Shqiponjave të bardha’ gjithashtu në bazë të përgjegjësisë komanduese ushtarake dhe politike. Dëbimi i tyre është ikje nga përgjegjësitë dhe është bërë për kalkulime politike”, thuhet në një kumtesë për media të këtij këshilli.
Sipas KMDLNJ, ka një sistem të drejtësisë, sidomos për krime lufte, të lëndueshëm dhe i cili i përshtatet një oportuniteti politik, ndërkombëtar në radhë të parë dhe atij vendor prandaj pjesa dërrmuese e të dyshuarve dhe të akuzuarve për krime lufte serbë kanë mbetur të pandëshkuar.
KDMLNJ konsideron se ata janë strehuar dhe sistemuar në institucionet e Serbisë, kanë mbrojtje nga shteti serb, bashkësia ndërkombëtare nuk e kërkon arrestimin e tyre , Kosova nuk ka të drejtë ta kërkojë ekstradimin e tyre sikur që ata nuk mund të dënohen në mungesë nga gjykatat e Kosovës shkaku se nuk ia mundëson legjislacioni në fuqi.
“Tash dhe kërkesa për ndalimin e hyrjes së tyre në Kosovë është dhurata më e madhe që iu bëhet të dyshuarve serbë për krime lufte në Kosovë. Një vend normal jo që do t’ua ndalonte hyrjen të dyshuarve për krime lufte , siç po e bënë Kosova por do të shfrytëzonte çdo mundësi të ligjshme dhe ilegale që ata të arrestohen dhe të sillen para drejtësisë, thekson ky këshill.
Poashtu ky këshill kërkon drejtësi për të gjitha viktimat e luftës dhe pas luftës , pavarësisht përkatësisë së tyre etnike dhe bindjeve politike, transmeton Klan Kosova.