Lajmet e fundit

Në Klinikën e Neurologjisë është përuruar dhoma për trajtimin e pacientëve me Sklerozë Multiple, investim nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe kompania Roche e cila ka dhënë donacion për këtë qëllim.
Kryetari i Shoqatës së Neurologëve të Kosovës Afrim Blyta tha se aktivizimi i këtij shërbimi është rezultat i punës 10 vjeçare të një ekipi të jashtëzakonshëm profesionistësh në Klinikën e Neurologjisë.
Ai tha se mjekët tanë janë të përgatitur për të trajtuar raste të tilla, sikurse mjekët në të gjithë botën.
Drejtori i kësaj klinike Nexhmedin Shala theksoi se dhoma e re do të shërbejë si spital ditor. Ai u shpreh i bindur që QKUK-ja do ta ketë shumë shpejt edhe repartin e veçantë për trajtimin e personave me Sklerozë Multiple.
Ai ka falenderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për të bërë të mundur funksionalizimin e kësaj dhome.
Kjo dhomë lëshohet në funksion në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Sklerozës Multiple e cila është shënuar me 31 Maj.