Lajmet e fundit

Për nxënësit e klasave të gjashta sivjet nuk ka libra të reja.
Ata do të duhet t’i shfrytëzojnë tekstet që u përdorën vitin paraprak nga gjeneratat që tash kanë dalë në klasë të shtatë.
Por edhe këta të fundit do të mësojnë me librat e paraardhësve të tyre, njofton Klankosova.tv.
Shfrytëzimi i librave nga stoqet është edhe kërkesë e prindërve, derisa janë kundër që shkollat të kërkojnë që ato të blihen të reja.
Libra nuk kanë marrë as klasat e nënta.
Por shkollat kanë dilemë se do ta kenë problem pasi shpeshherë semimaturantët nuk e kryejnë obligimin e tyre me tekstet mësimore sipas rregullave.
Nga ministria e arsimit thanë se më 15 qershor 2021, MASHTI i ka njoftuar të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit se këtë vit shkollor nuk do të shpërndajë tekstet shkollore për klasën parafillor, dhe klasat 6,7 dhe 9 dhe se shkollat duhet të respektojnë Udhëzimin Administrativ 13/2016 “Pajisja e nxënësve me tekste shkollore, përdorimi dhe ruajtja e tyre”.
Në përgjigjen e saj ministria ka thënë se ju ka kërkuar Komunave që të sigurohen se në fund të vitit mësimor 2020-2021 tekstet shkollore janë kthyer nga nxënësit siç është e përcaktuar me udhëzimin administrativ 13/2016.
Pra, sipas MAShT nëse tekstet e këtyre klasave nuk janë kthyer me kohë nga nxënësit në fund të vitit shkollor dhe rrjedhimisht nxënësit e këtij viti kanë mbetur pa tekste, kjo është përgjegjësi e komunave dhe shkollave.
Ndryshe librat e klasave të gjashta kanë çmimin mbi 76 euro, të klasave të shtata dhe nënta rreth 50 euro.