Lajmet e fundit

Në seancën e jashtëzakonshme për lirimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili po mbahet në paraburgim në Francë, fillimisht u propozuan dy rezoluta.
Njëra nga kryesuesi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lejak dhe e dyta nga deputetët Vjosa Osmani dhe Ilir Dedaj.
Këta të fundit kanë tërhequr propozim rezolutën e tyre nga votimi, pasi që nuk pati mbështetje.
Më poshtë mund të shihni pikat të cilat ishin paraparë në këtë propozim rezolutë.
Rezolutë
1. Obligohet Qeveria e Republikës së Kosovës të ndërmarrë të gjitha masat për lirimin e menjëhershëm të ish-Kryeministrit të Kosovës z. Ramush Haradinaj dhe t'a informojë Kuvendin e Republikës së Kosovës rregullisht brenda muajit janar 2017;
2. Ripërsëritë kërkesën ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës që çështja e fletëarresteve të Serbisë ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës të adresohet urgjentisht në Bruksel, duke këmbëngulur që këto fletëarreste të anulohen menjëherë nga ana e Serbisë;
3. Refuzon juridiksionin univerzal të Serbisë për krimet e pretenduara në tërë territorin e ish-Jugosllavisë, dhe kërkon nga Qeveria e Kosovës që t'a informojë Bashkimin Evropian dhe të gjitha instancat e tjera ndërkombëtare për këtë qëndrim;
4. Obligon Qeverinë e Kosovës t'a respektojë parimin e reciprocitetit në raport me Serbinë, përfshirë obligimet që dalin nga pika 2 e planit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit të prillit 2013, ku kërkohet miratimi i Ligjit të Amnistisë edhe nga ana e Serbisë;
5. Obligohet Qeveria e Republikës së Kosovës që të fillojë ndërtimin e konsensusit nacional për qasje të re në dialogun me Republikën e Serbisë.
Seanca ende është duke vazhduar, dhe ka mospajtim të deputetëve në dy pikat e fundit të rezolutës së propozuar nga Pal Lekaj.
Pika 4. Të ndërpritet dialogu me Serbinë, deri në anulimin e të gjitha fletëarresteve të lëshuar nga Serbia, kundër ish udhëheqësve dhe ushtarëve të UÇK-së në Interpol.
Pika 5. Kërkohet dorëheqja ose shkarkimi i të gjithë përgjegjësve kryesorë të negociatave me Serbinë, ngaqe janë të vetmit që kanë mundur të jenë të informuar se cilët persona kanë urdhër arreste nga Serbia në Interpol, meqë Kosova nuk është anëtare e Interpol-it, nga ku do të mund të merreshin informata zyrtare për emrat që kanë fletëarreste të tilla.