Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, i është bllokuar rruga nga disa serbë lokalë, derisa po udhëtonte për Leposaviq, për të marrë pjesë në përurimin e një ure të ndërtuar nga KFOR-i.
Megjithatë, Mustafa ja bëri disi dhe nëpër rrugë alternative gjeti shteg për tek ura.
Lajmin për vakinë e Mustafës e raportoi Klan Kosova, por KFOR-i në komunikatën për media, ku lajmëronte krenarisht për urën e ndërtuar dhe investimin 400.000 eurosh nuk e ka përmendur fare incidentin e Mustafës, njofton Klan Kosova.
Nuk dihet nëse KFOR ishte i angazhuar për të siguruar kalim të lirë të Mustafës, apo vetëm Policia e Kosovës.
Ura për të cilën bëhet fjalë është mbi lumin Bistricë ndërmjet Zveçanit dhe Leposaviqit.
Ajo zëvendëson urën Mabey-Johnson shumë afër këtij lokacioni dhe është ndërtuar në bashkëpunim mes kompanive serbe dhe shqiptare nga Kosova, njofton KFOR-i.
Në ceremoninë e hapjes, pos Mustafës, kanë marrë pjesë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si atyre të EULEX-it, UNMIK-ut, OSBE-së dhe Bashkimit Evropian.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.