Lajmet e fundit

KFOR-i nuk do të përcjellë eshtrat e Isa Boletinit në fshatin Boletin më 10 qershor siç kanë raportuar disa media dje.
Në një komunikatë për media të lëshuar nga zyra për informim e KFOR-it, thuhet se në përputhje me mandatin e tij dhe Rezolutën 1244 të OKB-së, KFOR-i do të jetë gati për të ndërhyrë si përgjegjësi e tretë, nëse kërkohet nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i dhe gjatë ceremonisë së rivarrimit do të mbajë një qëndrim diskret e të fuqishëm.
KFOR thotë se bartja e eshtrave nga stadiumi i Mitrovicës për në fshatin Boletin do të eskortohet nga Policia e Kosovës, ndërsa Komandanti i KFOR-it nuk do t’i autorizojë Forcat e Sigurisë së Kosovës për të lëvizur në territorin e komunave veriore.
“Gjenerali Figliuolo beson se është e një rëndësie të madhe që të gjithë njerëzit e përfshirë në këtë ceremoni të mbajnë një sjellje të përgjegjshme dhe të pjekur. Duke vepruar kështu, ata do të ndihmojnë KFOR-in në kryerjen e detyrës e vet, në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë popullin e Kosovës”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.