Universiteti i Prishtinës që nga pas lufta pati rektor që u zgjodhën me përkrahje politike, iu shërbyen partive politike, grupeve të interesit dhe klaneve.
Asnjë nga këta rektor nuk e reformoi UP-në, nuk punoi për cilësi të studimeve, për kushte më të mira për studentët. UP nuk dëshmoi mësimdhënie cilësore dhe as punë shkencore.
I vetmi që deshi të bënte ndryshim Ramadan Zejnullahu e dëshmoi sesa vështirë është të çrrënjoset politika, klanet dhe interesat e grupeve të ndryshme në këtë universitet, shkruan zeri.info
Gjatë 17 viteve të pasluftës, një rektor u shkarkua si politik dhe i paligjshëm, të tjerë u zgjodhën rektor duke ardhur direkt si anëtarë të partive politike, të tjerë pasi dhanë dëshminë se janë rektor të dëgjueshëm, pas përfundimit të posteve si rektor u avancuan në pozita tjera në shtet.
Një rektor dha dorëheqje pas presionit se publikoi punim në një revistë të rreme në Indi, një tjetër se pasi vendosi ligjin u bë pre e grupeve e klaneve politike që e “luftuan” dhe e detyruan të jap dorëheqje.
UP tash është në dorë të një matematicienti Marjan Dema, por që dhe ky në vitin 2010 ka marrë timonin e Partisë Shqiptare Demokristiane (PSHDK) dhe ka lidhur koalicion me PDK-në për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura atë vit, shkruan zeri.info
Nga këto zgjedhje, PSHDK dhe vet Marjan Dema kanë dalë të humbur, duke mos arritur të përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeveri. Për këtë arsye, Dema ka dhënë dorëheqje, duke vazhduar punën në Universitet dhe duke marrë disa poste.
Kelmendi, rektori i parë që i hapi derën politikës në UP
Rektori i parë i pasluftës Zejnel Kelmendi që e udhëhoqi këtë post deri në vitin 2004, është rektori që ua hapi derën partive politike, ndoshta jo në masën sa e bënë pasardhësit e tij, por ai hapi këtë rrugë sidomos për PDK-në, anëtarë të së cilës gjatë mandatit të Kelmendit si profesorë të UP-së uzurpuan troje të Universitetit, i legalizuan paligjshëm dhe filluan ndërtimin e shtëpive.
Ndonëse gjatë mandatit të tij më së shumti u fol për reforma, dhe një rrugë që për herë të parë pas luftës deklarohej se po fillonte UP-ja drejt pranimit të standardeve të reja akademike sikurse në botën perëndimore, nuk pati ndonjë reformim të mirëfilltë as në planprograme, programe, infrastrukturë apo cilësi.
Gjatë periudhës së Kelmendit, u angazhua si këshilltar i shumë përfoluri lidhur me reformën Georg Woeber. UP përveç se u bë me statut gjatë kësaj periudhe dhe kjo i adresohet vet Woeber nuk mbahet mend për ndonjë zhvillim.
Arsim Bajrami, rektori që u shkarkua si njeri politikë
Pas Kelmendit në krye të UP-së rektor u zgjodh Arsim Bajrami, i cili u shkarkua nga ministri i atëhershëm i arsimit nga LDK-ja Arsim Bajrami. Osmani e cilësoi zgjedhjen e Bajramit si politike dhe të paligjshme, i cili në atë kohë ishte nënkryetar i PDK-së.
“Lufta” PDK dhe LDK për të mbajt njëra apo tjetra parti kontrollin e UP-së, këtu mori përmasa të shpejta drejt një politizimi të skajshëm që solli pastaj rektor në shërbim të politikës dhe interesave të grupeve të ndryshme, dhe aspak cilësisë.
Dymbëdhjetë vjet pas Arsim Bajrami vjen ministër i arsimit nga PDK-ja, shkruan zeri.info
Enver Hasani, rektori që nuk e depolitizoi UP-në
Rektori Enver Hasani (2006-2009) që erdhi në krye të UP-së duke u thirrur në misionin se do të depolitizoi këtë institucion dhe do t’ia hap dyert e bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare, nuk ia doli ta bëjë këtë.
Madje, Hasani nisi një “luftë” ndaj profesorëve plagjiator, por që nuk pati rezultate vetëm një “fushatë parazgjedhore” e tij.
Pasi përfundoi detyrën si rektor i UP-së, Enver Hasani, u bë menjëherë po atë vit 2009, kryetar i Gjykatës Kushtetuese që e mbajti deri në qershor të vitit të kaluar, në kohën kur qeveria udhëhiqej nga Hashim Thaçi.
Kushtetuesja nën drejtimin e Hasanit ka marrë disa vendime që kanë shkuar në favor të PDK-së që janë kontestuar nga subjektet tjera dhe ekspertë kushtetues.
Hasani u akuzua nga Prokuroria Speciale e Kosovës si i dyshuar për vepër penale Mashtrim në detyrë gjatë kohës sa ishte rektor në Universitetin e Prishtinës.
Në aktakuzën e ngritur ndaj tij dhe Hakif Veliut e Albert Rakipit, thuhet se të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për Institutin për Studime Ndërkombëtare në Tiranë, kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe, për nevojat e Universitetit të Prishtinës” duke shënuar pagesën në vend të çmimit 12.65€ për 1000 fjalë, kanë shënuar çmimin 12.65€ për 1000 karaktere.
Mujë Rugova, rektori “Doktor i Korrupsionit”
Pas Hasanit erdhi në krye të UP-së Mujë Rugova (2009-2012), anëtar i këshillit të përgjithshëm të PDK-së si dhe në bordin e KEK-ut.
Rugova llogaritet rektori që ju bëri më së shumti favore njerëzve të partive dhe disa shkelje. Rugova, ndonëse arriti moshën 65 vjeçare sa ishte rektor nuk e dorëzoi mandatin.
Gjatë mbajtjes së ceremonisë së 41 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, derisa rektori Mujë Rugova mbante fjalën e rastit, dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje i hodhën ngjyrë të kuqë rektorit Rugova.
Ai u shpall më pas “Doktor i Korrupsionit”. Derisa po pranonte nga studentët e Degës së Gjuhës Shqipe, një mirënjohje për vendimin që lënda e Gjuhës Shqipe të jetë lëndë obligative në të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës, atij iu la në dorë edhe një “mirënjohje” tjetër me emrin e Mujë Rugovës, ku shkruante “Doktor Korrupsionis Causa”.
UP pagoi gati 4.000 euro për një "çmim" me vlerë të dyshimtë që e mori rektori në New York.
Ibrahim Gashi, rektor falsifikues
Ibrahim Gashi u bë rektor pasi dha dorëheqje nga posti i zëvendës ministrit të punëve të jashtme ku u emërua si anëtarë i partisë AKR-së.
Gashi u detyrua të jap dorëheqje nga posti i tij i rektorit pasi një nga punimet e tij i kishte botuar në një revistë fals në Indi. Ai këtë e bëri vetëm pas presionit të studentëve dhe shoqërisë civile që protestuan dhe marshuan me ditë të tëra para Rektoratit me kërkesën që rektori i UP-së, Ibrahim Gashi të jap dorëheqje nga posti i të parit të këtij universiteti pas skandalit të fundit.
Anton Berishaj, rektori me pagën rreth 3 mijë euro
Në mars të vitit 2014 Anton Berishaj është zgjedhur ushtrues detyre i rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Lajmin për “Zërin” e ka konfirmuar vet Berishaj. Ai është zgjedhur me shumicën e votave të Këshillit Drejtues të UP-së.
Puna e tij është vlerësuar në UP jo e plotë. Berishaj ishte rektor që iu rrit paga në gati 3 mijë euro.
Me rregulloren e re, për të ardhurat e personelit akademik, miratuar nga Këshilli Drejtues, paga e rektorit shkoi në 2.730 euro, shkruan zeri.info
Ramadan Zejnullahu, rektori që insistoi në kritere, por e pagoi me “kokën” e tij
Rektori Ramadan Zejnullahu vendosi që si mundësi e vetme për ta realizuar misionin e UP-së është nëse secili e kryen detyrën me përgjegjësi dhe profesionalizëm.
Por, Zejnullahu u shkarkua pak para se të përmbush misionin dy vjeçar në UP. Ai u shkarkua me nga Këshilli Drejtues me 6 vota pro. Ministria e Arsimit se pranoi këtë vendim të Këshillit dhe e ktheu në detyrë rektorin. Por, Zejnullahu dha dorëheqje më pas ai dha dorëheqje në shenjë pakënaqësie me procesin e zgjedhjeve në këtë universitet.
Në një letër publike ai shkroi se para 18 muajsh kishte marrë detyrën "për të ndihmuar nxjerrjen e institucionit nga kriza në të cilën e kishin futur degradimi akademik e moral, papërgjegjësia dhe konformizmi".
Por, sipas tij, zgjedhjet e fundit në këtë institucion kanë dëshmuar se rezistenca ndaj ndryshimeve është shumë e fortë dhe se rruga e universitetit "është rrugë e përshtatjes interesave të klaneve, brenda së cilës, ka hapësirë të mjaftueshme për realizimin e interesave joligjore të secilit që ka fuqi, duke filluar nga ata që janë në majat e shtetit e deri te servilët besnikë të tyre".
Zejnullahu tha se s’do të lejoj prodhim të analfabetëve në UP. Dhe ai nuk u dorzua me muja të tërë karshi pengesave nga senati dhe dekanët pasiqë Zejnullahu refuzoi që propozimet nga fakultetet të votohen në “pako” në Senat.
Ndërsa, shumica e senatorëve këmbëngulën dhe po këmbëngulin që të votohet për atë që ka vendosur Komisioni i Studimeve dhe Këshilli i Fakulteteve, si dhe të shkohet me votim në pako.
Marjan Dema rektori i “urtë”, në UP-në e kriminalizuar
Profesori i matematikës, Marjan Dema, të enjten mori postin e rektorit në UP. Llogaritet të jetë kandidati më serioz për rektor të Universitetit të Prishtinës, edhe pse ngjashëm si rektori Ibrahim Gashi, është avancuar me punime të publikuara në Indi
(http://ijma.info/index.php/ijma/article/vieëArticle/765).
Dema ka filluar karrierën në Departamentin e Matematikës të FSHMN në vitin 1980. Në vitet e nëntëdhjeta është transferuar në Fakultetin Ekonomik, ku ka ushtruar edhe detyrën e prodekanit, ndërsa në vitin 2007 ka vazhduar karrierën në FIEK. Po atë vit është zgjedhur prorektor i Universitetit të Prishtinës, në kohën kur rektor ka qenë Enver Hasani. Deri në vitin 2009 ka ushtruar detyrën e prorektorit, ndërsa në periudhën 2009-2012 ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të UP.
Në vitin 2010 ka marrë timonin e Partisë Shqiptare Demokristiane (PSHDK) dhe ka lidhur koalicion me PDK-në për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura atë vit.
Nga këto zgjedhje, PSHDK dhe vet Marjan Dema kanë dalë të humbur, duke mos arritur të përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeveri. Për këtë arsye, Dema ka dhënë dorëheqje, duke vazhduar punën në Universitet.
Në vitin 2012 u zgjodh profesor i rregullt në FIEK. Nga CV-ja e tij shihet se ka katër punime ndërkombëtare edhe pse me Statutin e UP, kërkohen pesë të tilla.
Në zgjedhjet e fundit në UP, Marjan Dema u emërua kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), detyrë të cilën e kreu deri më 5 mars të këtij viti, kur dështoi zgjedhja e rektorit.
Pas këtij dështimit, Dema vendosi të jep dorëheqje nga posti i kryetarit për t’u kandiduar vet për rektor, edhe pse në Rregulloren përkatëse thuhet se anëtarët e KQZ nuk kanë të drejtë të kandidohen për postin e rektorit.
Dema po premton se do t’ia rikthejë imazhin UP-së.