Lajmet e fundit

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar sot ndaj tendencave të subjekteve të ndryshme politike për politizimin e shkollave.
"Prindërit e Republikës së Kosovës, ndjehen tejet të shqetësuar me tendencat e liderëve politikë dhe të partive politike për politizimin e shkollave dhe përdorimin e nxënësve dhe fëmijëve për aktivitete politike apo organizime të ndryshme jashtë plan-programit të hartuar nga organet legjitime arsimore të Kosovës, thuhet në reagimin e kryetarit të këtij këshilli, Bajram Berisha
Ky këshill iu bën apel Ministrisë së Arsimit kryetarëve të komunave të Kosovës, drejtorëve të drejtorive komunale të arsimit në të gjitha komunat e Kosovës, inspektorëve arsimorë, drejtorëve të shkollave, prindërve e në veçanti liderëve të subjekteve politike që një gjë e tillë mos të lejohet dhe shkollat ta ruajnë pavarësinë dhe neutralitetin politik e kurrsesi të shndërrohen në poligone të militantëve politikë.
Në reagimin e KPK-së thuhet se askush nuk ka të drejtë të cenojë lirinë e mësimit dhe edukimit të fëmijëve tonë dhe askush nuk ka të drejtë të përdorë fëmijët për kurrfarë interesi personal, grupor, politik, fetar apo çfarëdo aktiviteti tjetër që bie në kundërshtim me Ligjin për Arsimin Parauniversitar të Kosovës dhe ligjet e konventat e tjera ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, transmeton Klan Kosova.