Lajmet e fundit
Në kulmin e sezonit veror të pushimeve kërcënimi kryesor është vjedhja e shtëpisë. Pasi largohemi për një periudhë disaditore, sigurinë e shtëpisë ia lëmë çelësit të derës kryesore apo dikujt që kemi të besuar.

Ja gjashtë këshilla se si të mbrojmë shtëpinë kur jemi me pushime:
Para së gjithash merrni të gjitha çelësat që i keni fshehur jashtë shtëpisë. “Nuk besojmë se do të ishit aq të pavëmendshëm dhe të vendosnit çelësin poshtë një guri apo tapetit të derës. Të gjithë e dinë se çfarë mund të ketë poshtë një guri, një tapeti apo një vazoje lulesh”, thonë ekspertët e policisë.
E dyta, u kërkoni fqinjve të parkojnë makinat e tyre në vendin tuaj, kur ju nuk jeni. “Duhet të duket sikur në shtëpinë tuaj jeton dikush, edhe pse ju nuk jeni”, thonë ekspertët.
E treta, kërkojini dikujt të merret me kopshtin e shtëpisë, nëse keni shtëpi private. “Kur njerëzit largohen me pushime, kopshtet që janë të kuruara mirë, nuk do të duken si të braktisur”, sugjerojnë ekspertët.
E katërta, për të njëjtën arsye për të mbrojtur shtëpinë janë edhe plehrat. Mund t’ju duket e çuditshme por nuk është ide e keqe t'u kërkoni fqinjëve të hedhin plehrat në koshin tuaj. “E thamë që qëllimi kryesor është që shtëpia të duket sikur jetojnë njerëz”.
E pesta, më e rëndësishmja: Lajmëroni fqinjët tuaj nga të katër anët e shtëpisë se po largoheni. Në këtë mënyrë jeni të mbuluar nga çdo cep.
E fundit në listë: Nëse do të hidhni në rrjete sociale foto të pushimeve tuaja të mrekullueshme, shpërndajini ato vetëm me miqtë dhe familjarët. Mund t’i postoni fotot kur të ktheheni në shtëpi.