Lajmet e fundit

Për të pasur një peshë trupore ideale nevojiten thjesht dy gjëra: të hash mirë (e pak) e të lëvizësh më shumë. Kuzhina e vërtetë përbëhet nga pjata delikate, me përbërës të cilësisë së parë.
Ai që është mësuar të hajë me tepricë nuk mund kurrë të vlerësojë pjata të tilla të shëndetshme si peshku i rrallë, zarzavate të porsambledhura, supat me bishtaja të një shijeje të lashtë.
Por kujdes: kardiologjia moderne e përcakton lëvizjen si profilaksinë më të mirë ndaj sëmundjeve kardiovaskulare. Duke qenë se sot infarkti godet njësoj si burrat edhe gratë, impenjimi duhet të jetë i madh.
Sasia, e lëvizjes së këshilluar është gjysmë orë në ditë: gjatë ditëve të punës zgjidhja është “biçikleta”. Të dielave, vishni tutat e sportit dhe bëni vrap mes pemëve duke thithur ajrin e freskët.
Meqenëse hamë çdo ditë, duhet edhe të lëvizim nga pak. E pasi kjo na është kthyer në zakon, ndihemi më mirë: muskujt tonifikohen, qarkullimi dhe thithja e oksigjenit përmirësohet, dhe ulet kolesteroli.
Një pyetje që shpesh drejtojnë pacientët është: sa vakte duhet të hamë në ditë? Për këtë nuk ka një rregull fiks, secili prej nesh duhet të “lexojë”organizmin e vet e të përpiqet të hajë në mënyrë të thjeshtë e të shëndetshme duke ndjekur orarin e brendshëm.
Për të rriturit janë të mjaftueshme tre vakte, për fëmijët një më shumë (zemra).
Ne, në përgjithësi hamë më shumë në darkë, pasi është momenti më i qetë. Kjo nuk është e drejtë; dikur, një shprehje e vjetër thoshte: “Duhet ngrënë mëngjesi si mbret dreka si
Princ dhe darka si varfanjak”. Arsyeja është e thjeshtë: është mëngjesi kur ne harxhojmë më shumë kalori (ja pra nevoja e një mëngjesi të bollshëm), ndërsa gjatë natës nevoja kalorike është minimale, pra është e mjaftueshme një darkë e lehtë.
Mëngjesi
Mëngjesi duhet të jetë vakti kryesor. Në bar apo në shtëpi? Është e vështirë të paragjykosh qëndrimin në lokal, duke qenë se ai është një moment relaksi dhe shoqërie, por, nuk është sigurisht vendi ideal.
Një filxhan me qumësht, mjaltë dhe drithëra. Është maksimumi për shëndetin. Qumështi i plotë dhe jo pjesërisht i skremuar, pasi shumë vitamina të tretshme në yndyra (A dhe D) janë të pranishme pikërisht në yndyrat e qumështit. Ndërsa mjalti është i pasur me antibiotikë natyralë. Drithërat, sepse janë karbohidrate me një shpërbërje të ngadaltë; në fakt, duke çliruar glukozën në mënyrë të ngadaltë, ato të japin gradualisht energji, duke evituar “zbrazëtirën” e stomakut në orën dhjetë të mëngjesit, si pasojë e rënies së glikemisë, siç është me biskotat.
Po kapuçino? Edhe pse shumë e shijshme, ja përse nuk e konsiderojmë ideale: përzierja e qumështit me kafe çon në përzierjen e acidit kafetanik me kazeinën e qumështit duke formuar një përbërje paksa të rëndë, të quajtur tanat kazeine; avulli i nxehtë që copëton kazeinën, formon shkumën aq të dëshiruar, dhe çka mbetet është shumë pak qumësht i mirëfilltë.
Dreka
Nëse jeni në shtëpi e keni kohë, përgatisni një pjatë makarona me salcë domatesh, bishtaja apo patate; në çdo rast mos i mbushni pjatat plot, sepse kështu mund të lëvizni lehtë edhe pasi të keni ngrënë. Gjatë verës zgjidhni domatet e freskëta e të pjekura; gjatë dimrit preferoni domatet e qëruara dhe salcën e domate ve në vend të domateve të serrës, sepse në konserva (edhe më mirë sikur të jenë të përgatitura në shtëpi) gjejmë të paprekura pothuajse të gjitha cilësitë e domates së freskët, e veçanërisht, likopenin, një molekulë e rëndësishme anti-kanceroze. Me domaten pra shoqëroni gjithçka mundni.
Zamra
Për fëmijët, mbasdite këshillohet një zamër energjike, por pa e trazuar shumë aparatin tretës: ideale është një fetë bukë me domate ose një fetë bukë me marmalatë. Që të dyja janë pa yndyra dhe të dobishme për një formë të mirë fizike e mendore.
Darka
Është momenti më i mirë për të qenë në shoqëri. Duhet të jetë plot fantazi, por e lehtë: peshk në avull, karota të furrës, sa më shumë perime e sallata, djathëra pa yndyrë, mish i bardhë. Mos e teproni e mos pini shumë verë: edhe mëlçia ka nevojë të flejë gjatë natës.