Lajmet e fundit

Adele ishte në qendër të vëmendjes në ceremoninë e Brit Awards, duke i marrë në shtëpi katër merita, përfshirë këtu edhe çmimin për sukses global.
Sidoqoftë, ishte mbështetja e 27 vjeçares për kolegen e saj Kesha ajo çka me të vërtetë e ka inspiruar publikun, transmeton Klan Kosova.
“Do të doja që ta shfrytëzoj këtë moment për ta mbështetur në mënyrë të hapur Kesha-n”, tha Adele pasi e pranoi çmimin për Artisten Më Të Mirë Femër Në Britani. Ajo po ashtu foli edhe për rikthimin e saj në qendër të vëmendjes pas katër vjetësh.
“Me të vërtetë kam humbur për një kohë dhe nuk e dija nësë do të rikthehesha ndonjëherë”, pranoi këngëtarja e hitit “Hello”.
Adele nuk është e famshmja e parë që qëndron prapa këngëtares Kesha, e cila momentalisht po mundohet të shkëputet nga kontrata muzikore me producentin Dr. Luke.
Lady Gaga, Demi Lovato dhe Taylor Swift, e cila ka dhuruar 250.000 dollarë për pop artisten, po ashtu e kanë shprehur hapur mbështetjen e tyre.
Adele momentalisht ka kontratë me Sony, ashtu si edhe Kesha, dhe është artistja më fitimprurëse e kësaj kompanie.