Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, to ta vizitojë Shqipërinë me 14 shkurt, për të diskutuar rreth integrimit të shtetit shqiptar në struktura ndërkombëtare dhe lidhjet e forta të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton Klan Kosova.
Kjo është bërë e ditur nga
një njoftim i Departamentit të Shtetit Amerikan, ku është publikuar agjenda e kryediplomatit Kerry.
“Sekretari John Kerry do të udhëtojë për në kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë, me 14 shkurt për t’u takuar me udhëheqës të lartë të Qeverisë shqiptare për të diskutuar integrimin e mëtejmë të Shqipërisë në strukturat Euro-atlantike dhe lidhjet e fuqishme bilaterale të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruhet në njoftim, raporton Klan Kosova.
Kerry para se të udhëtojë për në Tiranë, do të ndalet për katër ditë rresht në Munich të Gjermanisë, ku do të jetë pjesëmarrës në një konferencë të sigurisë ndërkombëtare.
“Sekretari Kerry, do të udhëtojë për në Munich të Gjermanisë, ku do të qëndrojë nga data 10 deri me 14 shkurt, për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë të 52 me radhë të organizuar në Munich”.
“Derisa do qëndrojë në Munich ai do jetë pjesëmarrës edhe në një takim të Grupit Ndërkombëtar në Mbështetje të Sirisë, për të diskutuar mbi gjetjen e një zgjidhjeje për dhënien fund sa më shpejt që është e mundur konfliktit në Siri”.
“Kerry, po ashtu do ketë shumë takime dypalëshe dhe shumëpalëshe”, thuhet në njoftimin e publikuar në sajtin zyrtar të Departamentit të Shtetit, njofton Klan Kosova.
Sekretari Kerry me dy dhjetor të vitit të kaluar kishte qëndruar edhe në Prishtinë, ku në aeroportin “Adem Jashari”, ishte pritur nga Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe dy zëvendësit e tij, Hashim Thaçi e Branimir Stojanoviq.
Sekretari i Shtetit amerikan kishte lavdëruar Kosovën në luftimin e terrorizimit, derisa kishte thënë se dhuna e gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës duhet të ndalen. Ai kishte siguruar se SHBA-të nuk përkrahin asnjëherë marrëveshje që cenojnë integritetin dhe sovranitetin e mikut – Kosovës.
Dhuna në Kuvend nuk u ndal, për çka ishte ankuar edhe vartësi i Kerry-it në Prishtinë, ambasadori amerikan Greg Delawie, i cili kishte tërhequr vërejtjen se mesazhet e shefit të tij nuk u morën seriozisht, njofton Klan Kosova.
klankosova.tv