Lajmet e fundit

Zyrtarisht, 25-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është arsyeja e vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Xhon Kerri, në Tiranë.
Por burime diplomatike kanë zbardhur edhe çështjet e tjera që Sekretari amerikan i Shtetit do të diskutojë me krerët e politikës shqiptare gjatë vizitës disa orëshe që do të zhvillojë të dielën, në kryeqytetin shqiptar.
Sipas këtyre burimeve, Sekretari Kerri në takimet që do të zhvillojë fillimisht me Presidentin Bujar Nishani dhe më tej edhe me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, Kryeministrin Edi Rama, por edhe kryedemokratin, Lulzim Basha, pritet të diskutojë edhe çështjen e muxhahedinëve, reformën në sistemin e drejtësisë por edhe rolin më aktiv që duhet të luaj Shqipëria në çështjen e Kosovës.
Axhenda e Sekretarit amerikan të Shtetit
Një mikpritje nga Presidenti Bujar Nishani në Aeroportin “Nënë Tereza”, por edhe përfaqësuesit e protokollit të shtetit, do të shënojë nisjen e vizitës zyrtare të Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerri në Tiranë. Pritja e Sekretarit Kerri nga Kreu i Shtetit, Nishani është konfirmuar tashmë nga zyra e presidencës. Ndërkohë që më pas Sekretari amerikan i Shtetit do t’i drejtohet kryeministrisë ku në orën 10:10 do të pritet në një takim nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Kryeministria edhe pse nuk detajon temat e diskutimit mes palëve, sqaron në një njoftim zyrtar, se më pas është Kryeministri Edi Rama që do të presë zyrtarin e lartë amerikan. Në një konferencë të përbashkët për shtyp mes kreut të qeverisë shqiptare dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerri pritet të zbardhen diskutimet konkrete mes palëve.
Ndërkohë që burimet diplomatike sqarojnë se zyrtarisht, shefi i diplomacisë amerikane vjen në Tiranë për të shënuar 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Por përtej vlerësimeve që pritet të japin palët për marrëdhëni- et shumë të mira mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pjesë e diskutimeve mes Sekretarit Kerri dhe Kryeministrit Rama pritet të jetë çështja e muxhahedinëve iranianë. Shqipëria ka shprehur gatishmërinë për të mirëpritur rreth 1000 iranianë në Shqipëri nga rreth 2.800 që janë aktualisht në kampin “Liria” në Irak. Kjo gatishmëri është konfirmuar edhe nga Rama në seancën plenare të së enjtes.
Në përgjigje të kërkesës së demokratit Sali Berisha që t’i premtohet sekretarit Kerri që të merren që të gjithë muxhahedinët iranianë, Rama tha se: “Sekretari i Shtetit nuk vjen për të kërkuar ato që the ti. Në atë aspekt nuk ka asnjë problem mes nesh dhe SHBA-së. Është vazhdë e një angazhimi që ne e respektojmë dhe do të vazhdojmë ta respektojmë për arsye që s’ka nevojë t’i shtjellojmë këtu”.
Disa vite më parë, kur qeveria drejtohet nga Sali Berisha, Shqipëria strehoi 200 muxhahedinë për të cilët ka marrë vlerësime nga aleati amerikan. Çështja e Kosovës, roli edhe më aktiv që duhet të luaj Shqipëria për shtetin e ri do të jetë një tjetër pikë diskutimesh mes krerëve të politikës shqiptare dhe aleatit të rëndësishëm amerikan. Kjo kërkesë pritet të vijë veçanërisht pas zhvillimeve shqetësuese në Kosovë, në prag të protestës së paralajmëruar të opozitës, në përvjetorin e tetë të pavarësisë dhe të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
E ndërkohë që nuk mund të mbetet jashtë axhendës edhe debati i politikës së brendshme shqiptare për reformën në drejtësi, kjo pas rolit të rëndësishëm që ka luajtur ambasador amerikan Donald Lu në gjithë këtë proces. Madje Lu deklaroi pak kohë më parë se ishte porosi e Departamentit Amerikan të Shtetit mbështetja për reformën në drejtësi. “Unë kam udhëzime të Departamentit të Shtetit dhe të Shtëpisë së Bardhë që përparësia kryesore të jetë mbështetja për reformat që të anëtarësoheni në BE. Qartësisht reforma kryesore është ajo në drejtësi”, ka deklaruar Lu. Të gjitha këto çështje pritet të diskutohen në rreth 4 orët e vizitës zyrtare të Sekretarit Kerri në kryeqytetin shqiptar./shekulli