Lajmet e fundit

Unioni i Pavarur i Studentëve të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta rikthejë programin për praktikë për studentët e fakultetit ekonomik.
Ata kanë kërkuar që sa më shpejt të merren hapa konkret që të mundësohet praktikë për të paktën 1000 studentë të këtij fakulteti.
Ata kanë shprehur shqetësimin lidhur me numrin e vogël të mundësive për praktikë për studentët e fakultetit ekonomik.
"Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës është institucioni më i mirë në fushën e shkencave ekonomike në Kosovë. Në të njëjten kohë, Fakulteti Ekonomik është edhe njësia më e madhe akademike e Universitetit të Prishtinës. Andaj, në kushte normale kjo njësi do të duhej të kishte një vëmendje të madhe të institucioneve në Kosoë. Fatkeqsisht, kët vit, vëmendja jo që nuk është rritur, por ka rënë".
"Viteve të kaluara Ministria e Financave, Ministria e Arsimit dhe institucione të tjera publike kanë ofruar praktikë për studentë. Këtë vit, megjithëqë muaji maj është afruar dhe praktikat zakonisht ofrohen për muajt e verës, asnjë nga këto nuk ka hapur thirrje për praktikantë. Ndërsa, nga Ministria e Arsimit studentët janë lajmëruar se do të hapet konkurs për rreth 50 praktikantë. Ky hap për ne është i mirëpritur, por në krahasim me numrin e studentëve është shumë i vogël".
Unioni i Pavarur i Studentëve të Kosovës i ka rikujtuar Qeverisë së Kosovës, se vendimin final për numrin e studentëve në Fakultetin Ekonomik e merr Ministria e Arsimit, dhe ata kërkojnë që sa më shpejt të merren hapa konkret që të mundësohet praktikë për të paktën 1000 studentë të Fakultetit Ekonomik, transmeton Klan Kosova.