Lajmet e fundit

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli ka pritur sot në një takim ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Didier Chabert.
Demolli, duke vlerësuar rolin dhe ndikimin e shtetit të Francës në rrjedhat e përgjithshme politike, ushtarake dhe të sigurisë në Evropë tha se, mbështetja dhe përkrahja e Francës për Kosovën në drejtim të ndërtimit dhe funksionalizimit të sektorit të sigurisë, me theks të veçantë transformimi i FSK në Forca të Armatosura të Kosovës, është më se i nevojshëm nëpërmjet mekanizmave të fuqishëm që posedon Franca aktualisht kudo në organizatat me peshë të organizimit evropian e më gjerë.
Nga ana e tij, ambasadori i Francës në Prishtinë, Didier Chabert u shpreh jashtëzakonisht i interesuar për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit, si dhe për përkrahjen e tij në aktivitetet dhe planet në të ardhmen. Ai tha se ashtu siç e kemi njohur pavarësinë e Kosovës, si një ndër shtetet e para, ashtu do të vazhdojmë ta mbështesim edhe në zhvillimin e saj demokratik e të qëndrueshëm.
Kjo është vizita e parë që Didier Chabert, ambasador i Francës, zhvillon në detyrën e shefit të misionit diplomatik, transmeton Klan Kosova.