Lajmet e fundit

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka mbajtur takim me anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës ku u diskutua rreth aktiviteteve dhe veprimtarisë së saj.
Anëtarët e Komisionit thanë se ASHAK është thirrur duke marrë për bazë hulumtimin e organizatës “Integra” rreth veprimtarisë se Akademisë, ku në atë hulumtim janë publikuar shumë kritika ndaj saj, njofton Klan Kosova.
Kryetar i Komisionit dhe deputeti nga Vetëndosja, Ismail Kurteshi, pyeti se a janë të vërteta që disa anëtarë kanë bërë plagjiaturë në punimet e tyre, si dhe kërkoi të dijë se a eshtë e vërtetë akuza se 50% të publikimeve të Akademisë janë ribotime
Komisioni po ashtu ka pasur kërkesa dhe kritika për mospërfshirje të Akademisë në vendimmarrje të shtetit dhe në çështjet e mëdha.
Anëtari i Komisionit nga PSD-ja, Driton Qaushi, tha se Akademia është e ndikuar mjaft nga politika, pasi ndër vite është vërtetuar se aty ka anëtarë që janë edhe pjesë të subjekteve politike.
Anëtarja e Komisionit, Teuta Haxhiu, ka kërkuar që Akademia të jep qëndrimet e saj kur bëhet fjalë për tema të rëndësishme për shtetin e Kosovës. Ajo, po ashtu, kërkoi edhe arsyet e heshtjes së Akademisë për këto çështje.
Nga ana tjetër anëtarët e ASHAK-ut kanë thënë se janë çdo herë të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre në çështjet e shtetit sa herë që institucionet kërkojnë përfshirjen e tyre.
Arsim Bajrami nga ASHAK tha se Akademia e ka një rol udhëheqës në shkencë dhe sa herë që institucionet shtetërore i kërkojnë këshilla, Akademia është e gatshme, por ajo nuk do të hyjë në politika ditore, pasi kjo do të cilësohej si ndërhyrje politike.
Andaj, Akademia është e gatshme që pas çdo kërkese zyrtare nga institucionet e Kosovës të japin sugjerimet e tyre.
Gjysma e anëtarëve të Akademisë nuk janë pjesë e partive politike, dhe në ligjin e ri askush që mban pozita udhëheqëse në institucione tjera shtetërore e partiake nuk ka të drejtë të zgjedhet në ndonjë pozitë udhëheqëse në Akademi.
Punimet e Akademisë nuk mund të kontrollohet nga Qeveria ose Kuvendi pasi një gjë e tillë ka ndodhë vetëm në shtetet komuniste, por duhet të shtohet vetëkritika brenda Akademisë.