Lajmet e fundit

Misioni i OSBE-së së bashku me Policinë e Kosovës kanë organizuar një konferencë dy ditor për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, njofton Klan Kosova.
Konferenca e cila ka bashkuar përfaqësuesit e agjencive të zbatimit të ligjit, bashkësitë fetar dhe shoqërinë civile do të shqyrtojë qasjet multidisiplinare në adresimin e kërcënimeve të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në Kosovë.
Në fjalën hyrëse foli drejtori i Departamentit Kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, Fatos Makolli i cili bëri thirrje për përfshirje të të gjitha instancave në mënyrë që të parandalohet ky fenomen.
Nga ana tjetër, Naim Hoxha Këshilltar për Krim të Organizuar pranë Misionit të OSBE-së në Kosovë, theksoi se kjo organizatë është e gatshme që të ofrojë ekspertizën e saj në këtë drejtim.
Qëllimi I kësaj konference është të nxiten debate si dhe të ndërmerren masa të reja siç është bashkëpunimi me komunitetet fetare.