Lajmet e fundit

Një kërkesë të veçantë për lirimin e përkohshëm të klientit të tij që është ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka bërë avokati David Hooper.
Në kërkesën voluminoze prej 26 faqe e 70 pika, dorëzuar pranë gjyqtarit të procedurës paraprake Nikola Giu, Hooper ka disa kërkesa, siç është arresti shtëpiak, dorëzimi i dokumentacionit të udhëtimit e deri te ajo më e veçanta vendosja në një vend të tretë, që nuk është Kosova e as katër vendet me të cilat kufizohet ajo.
''Masa të tilla të mund të përfshijnë p.sh. një ndalim të përdorimit të mediave ose aktivitetit politik, dhe madje të shtrihet në një kusht që zotëri Thaçi të banojë jashtë Kosovës. Nëse vendoset një kusht i tillë, mbrojtja është e sigurt se do të jetë në gjendje të siguroj një shtet të palës së tretë jo fqinj me Kosovën''.
Gjyqtari paraprak i procedurës i ka dy javë kohë nga dita e dorëzimit të kërkesës që të vendos mbi të, nga data e dorëzimit që është 4 dhjetori.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se kjo kërkesë është unike pasi që në tribunalet sikur që është Specialja e Kosovës me seli në Hagë, nuk dihet të ketë pasur këso kërkesa.