Lajmet e fundit

Gazetari nga Mitrovica Musa Mustafa, është kërcënuar me jetë. Kërcënimi i është bërë përmes një sms-i të dërguar në gjuhën serbe nga një numër i IPKO-s.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Mustafa, përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook.
Gazetari i cili është drejtues i portalit ‘Infojeta.net’, ka treguar se rastin e ka paraqitur edhe në polici, pasi që atij përmes sms-it i është kërcënuar edhe familja.
“Sot në mbrëmje kam marrë një kërcënim përmes një sms-i në telefon, se do të vritem dhe se do të ma zhdukin edhe familjen. Në këtë kërcënim më tutje thuhet se do të më zhdukin edhe ‘farën’ shqiptare, nëse shkruaj më kundër serbëve”.
“Sms-i është dërguar në gjuhën serbe nga një numër i IPKO-së, qe sipas policisë tani më nuk është i qasshëm në rrjet”.
“Rastin e kam paraqitur ne Stacionin e Policisë në jug të Mitrovicës, ndërsa për këtë kërcënim është njoftuar edhe Prokurori”.
“Mendoj se kërcënimi ka të bëjë me një seri shkrimesh që i kam bërë në gazetën online Infojeta, e që kanë të bëjnë me funksionimin e strukturave paralele të Policisë së Serbisë në veriun e Kosovës, funksionimin e grupeve te strukturave ruse si ushtria kozake, grupeve çetnike, si dhe shkrimeve që tregojnë se si funksionon krimi i organizuar nën udhëheqjen e Zvonko Veselinoviqit, Millan Radonjqiqit e Zoran Millojeviqit, i njohur me nofkën ‘Zela’”.