Lajmet e fundit

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, mori pjesë në tryezën me përfaqësuesit e bizneseve të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane (OEAK).
Me këtë rast, zëvendësi i Isa Mustafës tha se Qeveria po punon në përgatitjen e pakos së dytë fiskale, në të cilën do të ketë më shumë lehtësira për prodhuesit vendor.
Për të pasur një eksport të mirë, të mirëfilltë çfarë është e dëshirueshme, Kelmendi theksoi se Qeveria e Kosovës së bashku me bizneset duhet të punojnë edhe më shumë në rritjen e rendimenteve, më kualitative dhe më të standardizuara.
Kelmendi theksoi se së bashku me kryeministrin Mustafa, ministrin e Financave dhe ministren e Tregtisë dhe Industrisë janë duke përgatitur pakon e dytë fiskale, në të cilën do të përfshihen maksimalisht kërkesat e prodhuesve vendor.
“Po ashtu jemi duke punuar që ta ndryshojmë metodën e financimit të bizneseve, sidomos në fushën e bujqësisë”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, deklaroi se ndonëse ka pas përkushtim të shtuar të institucioneve publike, puna duhet të vazhdohet më tej edhe në kompletimin e pakos fiskale që do të mundësonte rritjen e sektorit të prodhimtarisë, transmeton Klan Kosova.