Lajmet e fundit

Instituti Demokratik i Kosovës, ka publikuar studimin e monitorimit të prokurimit publik në Kosovë dhe ka konstatuar se prokurimi publik vazhdon të mbetet pikë shumë e dobët e institucioneve të Kosovës.
Sipas KDI-së, për shkak se kontratat e prokurimit publik përbëjnë një pjesë të madhe të buxhetit të shpenzimeve publike të çdo vendi, në Kosovë, ky sektor është shumë i manipuluar dhe i keq menaxhuar.
“Një menaxhim i dobët i prokurimit publik parandalon zhvillimin e mirëfilltë të konkurrencës së tregut, duke krijuar mundësi favorizuese për operator ekonomik të caktuar, dhe humb “vlerën për paranë” duke paguar më shtrenjtë për shërbimet dhe mallrat se edhe në tregun me pakicë, respektivisht duke rritur shpenzimet publike dhe ndikuar negativisht në burimet, apo investimet e kthyera nga Qeveria për tatimpaguesit”, thotë KDI në këtë studim.
Diana Metushi nga KDI thotë se kontratat e centralizuara e minimizojnë konkurrencën, dhe se janë institucionet shtetërore ato që duhet të krijojnë strategji për rregullimin e konkurrencës në mes bizneseve që përfshihen në prokurim publik.
Ky aktivitet i KDI-së është organizuar në kuadër të projektit ‘Rritja e efikasitetit dhe transparencës së prokurimit publik përmes monitorimit aktiv për të reduktuar korrupsionin’ e që mbështetet nga Ambasada Britanike në Kosovë.