Lajmet e fundit

KDI iu ka bërë thirrje subjekteve politike parlamentare që në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve, të tregojnë përgjegjësi dhe konstruktivitet në arritjen e konsensusit për formimin e institucioneve të reja.
"Tanimë kur kanë kaluar katër muaj që nga shpërndarja e legjislaturës së VI-të, të Kuvendit të Kosovës, dhe një muaj që nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, vendi po vazhdon të qeveriset nga Qeveria në dorëheqje dhe pa mbikëqyrje të Kuvendit. Kjo gjendje është duke cenuar parimin e kontrollit dhe balancit të pushteteve".
Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, thirrja e seancës konstituive për datën 26 dhjetor është hapi i parë formal drejt krijimit të institucioneve të reja.
KDI vlerëson që subjektet politike parlamentare kanë pasur kohë të mjaftueshme për të arritur pajtueshmëri për propozimet për Kryetar dhe pesë Nënkryetarëve të Kuvendit, për votimin e të cilëve kërkohen të paktën 61 vota për.
"Çdo sjellje politike iracionale dhe bllokuese do të pengojë konstitutimin e institucioneve shtetërore dhe do të minojë pritjet e qytetareve për zhvillim ekonomik, sundim të ligjit, mirëqenie e jetë të dinjitetshme".
"KDI rikujton që Qeverinë e re të Kosovës e presin çështje që kërkojnë trajtim të menjëhershëm siç janë miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm fiskal, implementimi i reformave që derivojnë nga MSA-ja, si dhe emërimi i anëtarëve të institucioneve të pavarura që i raportojnë Kuvendit", thuhet në një kumtesë të këtij Instituti, transmeton Klan Kosova.