Lajmet e fundit

Universiteti i Prishtinës aktualisht është pa këshill drejtues funksional.
Anëtarët e organit kryesor qeverisës të UP-së, të emëruar nga Ministria e Arsimit, kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.
Mbledhjen e fundit ata e mbajtën në fund të muajit maj.
Ndërkaq tash rektorati pret që ministria ta kompletojë këshillin drejtues, në mënyrë që të gjitha proceset që duan miratimin e kësaj trupe të shtyhen përpara.
Në Ministrinë e Arsimit thonë se vetëm dy anëtarë të këshillit kanë dhënë dorëheqje, derisa nuk bënë të ditur emrat dhe shkaqet e dorëheqjes së tyre.
Përveç kësaj, Ministria e Arsimit, në përgjigjen e vet nuk precizon ndonjë kohë se kur do të funksionalizohet bordi i universitetit, veçse thonë se do të përkujdesen që shumë shpejtë në këto pozita të emërohen anëtarë të rinj që i plotësojnë kriteret siç e parasheh ligji e statuti.
Sipas të njëjtit ligj, asnjë nga anëtarët e emëruar nuk duhet të ketë lidhje të drejtpërdrejta aktuale me institucionin në të cilin emërohet.