Lajmet e fundit

Deputeti i qarkut të Lezhës, Eduart Ndocaj, ka deklaruar se është kërcënuar me jetë për shkak të detyrës nga Xhevahir Ndoka.
Në një postim në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, Ndocaj shkruan se pas telefonatës kërcënuese ka biseduar me vëllanë tjetër të Arben Ndokës, Sandër Ndoka, i cili konfirmoi linjën e vëllait kërcënues, duke argumentuar se “nuk kam ç’të bëj, sepse e ke mbushur kupën”.
Postimi i plotë i deputetit Eduart Ndocaj:
"Nga momenti i marrjes së pushtetit në përputhje me Kushtetutën dhe me misionin e mandatit të deputetit duke mbrojtur interesat e përgjithshme dhe të qytetarëve kam denoncuar disa herë abuzimet në pushtet, mungesën e efikasitetit të institucioneve, mungesën e shërbimeve”.
Në përputhje të plotë me ligjet në fuqi dhe me rregullat e lojës të demokracisë kam vetëshpallur kandidimin tim për kryetar të Partisë Socialiste. Bëra një reagim në faqen zyrtare të “Facebook”-ut, duke evidentuar disa problematika që lidhen me funksionimin e PS-së në Lezhë dhe me procesin zgjedhor të PS-së.
Reagimi ishte krejt normal në formën e saj demokratike si dhe për faktin, se është një kontribues i rëndësishëm i PS-së. Ky reagim është botuar thuajse në të gjitha mediat online.
Shkrimi nxjerr në pah probleme të Partisë Socialiste në Lezhë, që të gjithë i dinë, por nuk kanë guxim të flasin. Në lidhje me këto problematika, kam njoftuar disa drejtues të rëndësishëm të forumeve të larta të PS-së, duke përfshirë këtu edhe z. Balla.
Nga pasditja kam marrë një telefonatë kërcënuese nga z. Xhevahir Ndoka, vëllai i ish-deputetit z. Arben Ndoka.
Jam kërcënuar me jetë për shkak të detyrës. Pas telefonatës kërcënuese, kam biseduar me vëllanë tjetër të Arben Ndokës, Sandër Ndoka, i cili konfirmoi linjën e vëllait kërcënues duke argumentuar se: "nuk kam ç’të bëj, sepse e ke mbushur kupën"./shekulli