Lajmet e fundit

Në një intervistë të rrallë, supermoedelja 41-vjeçare, Kate Moss i tha “the Business of Fashion” se, punën në agjenci planifikon ta nisë këtë muaj.
“Nuk dua thjesht njerëz të bukur, - rrëfen ajo për faqen në fjalë të internetit. - Ajo që dëshiroj në të vërtetë është të krijoj yje”.
“Më shumë sesa te ngritja e një agjencie të thjeshtë modelingu, unë dua të fokusohem te menaxhimi i karrierave të njerëzve. Dua njerëz që të dinë edhe të këndojnë, të kërcejnë, apo të aktrojnë”, tha Kate Moss, shkruan Top Channel.
Agjencinë “Storm”, e cila e zbuloi në moshën e brishtë 14-vjeçare në Aeroportin “JFK” të Nju Jorkut, Moss e la në fillim të këtij viti. Publikimi i planeve të saj për një agjenci të vetën përkon me fillimin e javës së modës në Londër.
Faqja e internetit e biznesit të ri është krijuar tashmë, e modelja çeli dhe një profil të ri në Instagram, i cili që prej mëngjesit të së hënës ka regjistruar më shumë se 700 ndjekës.