Lajmet e fundit

Kandidati i PDK-së për Ferizajn, Agim Aliu, ka treguar planet e tij për punësim në këtë komunë.
“Kam shpalosur Fondin e Punësimit dhe po besoj se jemi konsumuar në këtë temë se si do të ndërtohet Fondi i Punësimit, sepse kam elaboruar 6 pika të programit të zhvillim ekonomik ku dy prej tyre janë ato që krijojnë Fondin e Punësimit”.
“Kemi përmendur mbështetjen e bizneseve me mbështetje direkte monetare të tipit “vaucher” si dhe me heqjen e normës së interesit nga kamatat nga bankat komerciale sepse norma e interesit paguhet nga komuna mirëpo do të jemi të kujdesshëm që do të ketë kritere që bizneset përfituese të hapin sa më shumë vende të punës dhe të kenë biznese të qëndrueshme”.
“Një ndër vendimet e para që do të marr si kryetar i komunës, përpos vendimeve administrative, do të jetë vendimi për krijimin e ekipit implementues të programit ekonomik, ekip që përbëhet nga 5 drejtori, që do të bëjnë implementimin e projekteve dhe programin ekonomik”.
“Ky ekip do të përgatisë edhe projekte për të marrë fonde nga donacione të ndryshme nga BE pra është përgjegjësia e këtij ekipi që të fitojmë sa më shumë projekte jo vetëm nga të hyrat vetanake por edhe nga fondet e BE-së”.
“Ky ekip është përgjegjës edhe për transparencë sa i përket të hyrave dhe të dalurave në komunën e Ferizajt, sepse konsiderojmë si diçka shumë të rëndësishme për qytetarët por edhe për operatorët ekonomikë që operojnë të kontraktuar nga komuna e Ferizajt”.
Ai ka folur në Magazina Lokale në Klan Kosova edhe se si do të jetë administrata në komunën e Ferizajt nëse ai e fiton balotazhin e 19 nëntorit.
“Administrata në qeverisjen time do të jetë profesionale e jo dikush nga të angazhuarit të mos dijë përgjegjësinë e tij, jam zotuar edhe para qytetarëve se barazia do të jetë një ndër misionet e mia lidhur me konkurrencën në konkurset e shpallura publike”.
Programin e tij për punësimet e ka shpalosur edhe kundërkandidati i Aliut, Muharrem Svarqa nga LDK-ja.
Ai poashtu ka folur edhe për shërbimet dhe administratën komunale gjatë qeverisjes së tij.
“Rritja e cilësisë së shërbimeve ka ndodhur në administratën komunale se ne kemi pasur rritje të numrit të kërkesave dhe janë realizuar mbi gjysmë miliona kërkesa për katër vite”.
“Nuk ka pasur pritje më të mëdha të qytetarëve se secili që presim në kafiteri derisa një kamerier kafenë dhe kjo tregon për efikasitet të jashtëzakonshëm”
“Punësimin nuk e zgjidhin institucionet por duhet shikuar mundësitë e punësimit tek ndërmarrësit privat dhe ne lidhur me këtë, ne jemi të vetmit në Kosovë që kemi marrëdhënie kontraktuale përmes sistemit bankar të cilët kanë përfituar nga procedurat e tenderimit për subvencionimin e të gjithë atyre që dëshirojnë të marrin kredi, kamatat ua paguan komuna”.
“Gjatë mandatit tonë janë regjistruar mbi 4000 biznese, ku kusht ligjor për regjistrim është së paku një i punësuar, por poashtu kemi përkrahur bizneset për rritje të numrit të të punësuarve edhe përmes dhënies se pronave komunale në shfrytëzim”.