Lajmet e fundit

Kanceri i prostatës zgjat për disa vite, shumë meshkuj nuk e kuptojnë që kanë kancer prostate. Por kur fillon të japë metastaza, bëhet shumë agresiv. Këshillohet që meshkujt të ulin peshë ose të mbajnë një peshë trupore normale.
Një nga problemet e shpeshta që hasen në moshat e rritura është edhe patologjia e prostatës. Prostata është një gjëndër e vogël sa një arrë që vendoset mu përballë pjesës së fundit të zorrës së trashë, poshtë fshikëzës së urinës, shkruan revista Shije. Prostata rrethon kanalin e urinës që quhet uretra, ku kalon urina që derdhet jashtë.
Një nga funksionet kryesore të prostatës është të lëshojë një lëng që përzihet me spermën kur kalon në kanalin urinar dhe i jep asaj energji dhe e bën që të ambientohet më mirë në kanalin vaginal.
Prostata e zmadhuar
Me kalimin e moshës prostata rritet dhe zhvillohet, ndaj themi që kemi zmadhim të prostatës ose hipertrofi beninje të prostatës. Hipertrofia beninje e prostatës me rritjen e moshës bëhet edhe më e dukshme.
Hipertrofia beninje e prostatës fillon në moshën mbi 40 vjeç.
Në moshën 50-60 vjeç, rreth 50% e meshkujve kanë hipertrofi beninje të prostatës. Në moshën 60-70 vjeç, gati 70% e meshkujve.
Shenjat klinike:
Vështirësi në urinim
Volumi i urinës bie
Urinimi bëhet më i shpeshtë. Pacienti ndjen herë pas here nevojën e urinimit gjë që e bën herë pas here të çohet natën.
Urgjencë për të urinuar
Të gjitha këto shenja ndikojnë në cilësinë e jetës së pacientit, duke e prishur atë.
Gati të gjithë tipat e kancereve të prostatës janë adenokercinoma.
Në stade të avancuara mund të këtë shenja shtesë në pjesë të ndryshme të trupit. Shenja më e shpeshtë është dhimbja e kockave, shpesh herë e lokalizuar në shtyllën kurrizore, në pelvis apo në brinjë, që shkaktohen nga metastazat në këto vende.
Karcinoma e prostatës paraqet një problem onkologjik të rëndësishëm për shëndetin publik, ajo zënë vendin e tretë të vdekjeve për tumoret në meshkujt. Incidenca e saj është në rritje në shumë vende të botës, por vdekshmëria prej saj ka mbetur e qëndrueshme.
Kjo për shkak të shpërndarjes së informacionit dhe kontrolleve të hershme që kanë çuar dhe në diagnostikim të sëmundjes në fazat fillestare.