Lajmet e fundit

Projektligji për Automjetet është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.
Ky Projektligj është në përputhje të plotë me vendimin e Qeverisë së Kosovës për eliminimin e të gjitha barrierave që pengojnë hyrjen e subjekteve të reja në treg dhe në mënyrë shprehimore përcakton obligimin për licencimin e më shumë subjekteve në secilën fushë që mbulon ky projektligj.
Në fjalën e tij në mbledhjen e Qeverisë, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tha se fushëveprimi ligjor i automjeteve është i rregulluar me Ligjin për Siguri në Komunikacionin Rrugor, transmeton Klan Kosova.
“Duke i pasur parasysh praktikat e vendeve të tjera të BE-së, ky ligj është ndarë në tri ligje: Ligji për Patent shofer dhe Ligji për Rregullat në Trafikun Rrugor, të cilat tanimë janë miratuar edhe nga Parlamenti i Kosovës, kurse Projektligji për Automjete e kompleton këtë pako të ligjeve. Me këtë ligj përcaktohen kushtet bazë të pajisjeve dhe instalimeve, të cilat duhen t’i kenë mjetet, dimensionet, masa më e madhe e lejuar dhe ngarkesa boshtore e mjetit, si dhe kushtet, të cilat duhet t’i plotësojë mjeti në komunikacion, kushtet për importim, kontrollimi teknik i automjeteve, regjistrimi i automjeteve dhe çështje të tjera”, tha ministri Zharku.
Ministri Zharku theksoi rëndësinë e veçantë që i është kushtuar sigurisë në komunikacion dhe mbrojtjes së ambientit me këtë ligj.
“Në kuadër të kësaj është paraparë kontrollimi teknik mobil, si shërbim shtesë mbi kontrollin e rregullt dhe periodik të automjeteve pjesëmarrëse në komunikacion dhe njëherit do të rritet monitorimi ndaj kualitetit të shërbimeve, të cilat i ofrojnë qendrat e kontrollimit teknik".