Lajmet e fundit

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka bërë homazhe tek Obelisku i Hebrenjve dhe ka kujuar viktimat e Holokaustit në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit.
Ai tha se ndjehet krenar me shembullin fisnik të kombit tonë, i cili në momentet më të rënda të kësaj tragjedie njerëzore, si pak të tjerë u vendos në anën e drejtë dhe të duhur të historisë, duke ofruar strehë e mikëpritje për hebrenjtë e persekutuar anembanë Evropës.
"Këtë përvjetor e bën edhe më domethënës, fakti që vetëm para pak ditësh, familja Sharri nga Prizreni, u nderua nga shteti i Izraelit dhe Yad Vashem me certifikatën e nderit dhe dekoratën e “Të Drejtëve ndër Kombe” për strehimin dhe shpëtimin e një familje hebreje".
Veseli gjithashtu tha se populli shqiptar mund t'i kuptoj me dhembshuri vuajtjet dhe pasojat e krimeve të kryera ndaj popullit hebre sepse i ka ende të freskëta në kurriz pasojat e gjenocidit dhe pastrimit etnik.
"Prandaj, kjo ditë, duhet të shërbejë për të reflektuar mbi tmerret e së kaluarës por edhe për të dënuar, sot e gjithmonë, çdo formë dhune apo urrejtje që bazohet në racizëm, anti-semitizëm apo çdo lloj paragjykimi për përkatësi personale".