Lajmet e fundit

Viti i Kadaresë: Afro 50 punime shkencore dhe disertacione me objekt veprat e Ismail Kadaresë në Kinë.
Për fat të keq, Gjenerali i ushtrisë së vdekur u përkthye dhe u bë i njohur në Kinë me shumë vonesë. Përkthyesi dhe shkrimtari kinez, Zhen En Bo, ua dha lexuesve të vendit të vet drejtpërdrejt nga shqipja në vitin 1992.
Romanin e botoi shtëpia botuese Shkrimtari. Për arsye të tirazhit të kufizuar (2500 kopje në Kinë nuk mund të konsiderohen ndryshe) dhe të statusit të tij të veçantë në qarkullim (u botua për shkrimtarët), ky roman s’pati ndikim në shumicën e lexuesve të thjeshtë kinezë.
Po më 1992, kanali i parë i televizionit qendror kinez CCTV-1 shfaqi filmin Kthimi i ushtrisë së vdekur, realizuar nga regjisori Dhimitër Anagnosti (1989) sipas këtij romani.
Siç përmend Zhen En Bo, ky film u shfaq i ndarë në dy pjesë dhe pati një jehonë të gjerë. Pa dyshim qindra mijë teleshikues kinezë e kanë parë këtë film, edhe pse nuk kemi një shifër të saktë për këtë.
Në vitin 2008, romanin e ribotoi shtëpia botuese Chongqing, bashkë me dy vepra të tjera të rëndësishme të Kadaresë: Prilli i thyer (2007) dhe Pallati i ëndrrave (2009).
Më vonë, në vitin 2012, Huacheng, një shtëpi tjetër botuese, më e madhe, nisi projektin për Kadarenë në gjuhën kineze, në të cilin u përfshi botimi i tri veprave të tjera të tij: Kronikë në gur, Kush e solli Doruntinën dhe Darka e gabuar. Të dyja nismat e botimit janë sponsorizuar nga shteti kinez.
Shfaqja e filmit qe sinjal i rëndësishëm, që u bëri të ditur kinezëve se në Shqipëri, përveç filmave të vjetër artistikë, që ishin mjaft të njohur atje, ka dhe dukuri të reja, që lidhen me një shkrimtar shumë të talentuar, i cili shquhet për narracion të veçantë, përfytyrime të çuditshme, metoda të pjekura dhe filozofi të thellë.
Duke pasur në fokus vetëm romanin Gjeneralin e ushtrisë së vdekur (1963) dhe filmin Kthimi i ushtrisë së vdekur, do të përpiqemi të paraqesim situatën e receptimit të kësaj vepre të I. Kadaresë në mjedisin kinez.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu.