Lajmet e fundit

Jevgenij Primakov, shtetar sovjetik dhe rus, ka vdekur në moshën 85 vjeçare.
Karrierën e filloi si gazetar, duke kaluar rrugën nga Radiotelevizioni shtetëror deri te pozita e kolumnistit në gazetën Pravda.
Në kohën e konfliktit arabo-izraelit në Lindjen e Afërt, gjatë viteve 1960 dhe 1970, punoi si korrespondent nga ky rajon, transmeton Klan Kosova.
Në këtë periudhë doktoroi në ekonomi. Kishte njohuri të mira të gjuhës angleze dhe asaj arabe. U bë anëtar korrespondent – e më vonë edhe i rregullt – i Akademisë së Shkencave, kurse udhëhoqi Institutin për Orientalistikë dhe Institutin për Ekonominë Botërore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Në vitet 1980 u përfshi aktivisht në politikë.
Në udhëheqësinë e Mihail Gorbaçov ishte anëtar i institucioneve më të larta shtetërore. Kur Boris Jelcin erdhi në pushtet, Primakov e udhëhoqi shërbimin e jashtëm informativ, e pastaj u bë Ministër i Punëve të Jashtme.
Ishte përkrahës i idesë së multilaterizmit, si një kundërpeshë ndaj fuqisë së Amerikës pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Primakov kishte pozitë të lartë në KGB në kohën kur Vladimir Putin po e përfundonte karrierën e tij të spiunit.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, që vendosnin për pasardhësin e Boris Jelcin, ishte kundërkandidati kryesor i Vladimir Putinit, transmeton Klan Kosova.
Mirëpo, dy muaj para zgjedhjeve, më 4 shkurt 2000, Primakov në një emision televiziv njoftoi për tërheqjen e tij nga gara dhe i mundësoi Putinit që të bëhej president me lehtësi.
Më pas, Primakov iu bashkua Putinit, duke u bërë njëri nga bashkëpunëtorët dhe këshilltarët e tij më të afërt.
Primakov kishte dëshmuar në favor të Slobodan Millosheviqit gjatë procesit gjyqësor të Kasapit të Ballkanit në Hagë.