Lajmet e fundit
Zonja e Vjetër nga Torino pret në tempullin e vet Të Bardhët, në një sfidë klasike titanësh të futbollit europian, pjesë e garës më elitare të kontinentit të vjetër për klube

Gati një vit pas triumfit prej 4-1 në finale të Ligës së Kampionëve, Real Madrid dhe Juventus do të takohen sërish në këtë garë, kësaj radhe për të vendosur gjysmëfinalistin.
Por shumëçka ka ndryshuar që atëherë, jo vetëm viti. Kanë ndryshuar emrat, pozitat, synimet, strategjitë e trajnerëve, vendosjet e lojtarëve. I njëjtë ka mbetur veç rivaliteti.
Që atë ditë Juventus u ka dhënë lamtumirën dy shtyllave të mbrojtes, Leonardo Bonucci dhe Dani Alves, njëri shkoi tek Milan, ndërsa tjetri tek Paris Saint-Germain. Përballjen e parë me Të Bardhët nuk do ta shijojnë edhe Miralem Pjaniq e Mehdi Benatia, që të dy të suspenduar. Ndërsa gjiganti spanjoll nuk ka ndonjë mungesë.
Vitin e shkuar Zinedine Zidane e ka pasur të vështirë të zgjedhë skuadrën që do ta ketë në dispozicion, jo vetëm titullarët. Lucas Vasquez bashkë me disa të tjerë patën mbetur jashtë. Por sivjet spanjolli është në listën e të preferuarve të trajnerit. Dhe mund të luajë në Torino.
Meqë ndeshja luhet në pjesën e fundit të stinorit, të dy skuadrat e dinë për çka po luftojnë. Juventus ka katër pikë më shumë se Napoli në vendin e dytë, ndërsa Real nuk shqetësohet fare më për asnjë garë tjetër, pasi shpresat i ka humbur qyshkur.
Finalja e Kardifit nuk është ndoshta mënyra më e mirë për ta parë këtë përballje, pasi luhej në 90 minuta. Nëse kthehemi katër vjet para, Real pati humbur nga Juventus në gjysmëfinale. Për më shumë, edhe atëbotë orari i ndeshjeve ishte i njëjta, e para në Torino, e dyta në Madrid.
Finalja e Uellsit i shihte më të afërt edhe në kuotat e bastoreve, me Real Madrid që kuotohej me 1.8, ndërsa Juventus me 2.2. Por kësaj radhe gjiganti spanjoll ka kuotë edhe më të ulët - 1.4, për dallim nga Juventus që kuotohet me 2.75.