Lajmet e fundit

Në një konferencë për shtyp, të hënën në mesditë, Juncker e akuzoi drejtpërdrejtë kryeministrin grek, Aleksis Tsipras, se nuk thotë të vërtetën, dhe nënvizoi se “i gjithë planeti e di” që në thelb, grekët do të votojnë të dielën për marrëdhëniet e Greqisë me BE. Një "Jo", do të ishte katastrofale, theksoi presidenti i Komisionit Europian.
Në kohën që qeveria Tsipras akuzon partnerët europianë se "duan t’i marrin frymën popullit grek me masa të reja shtrënguese", Juncker tha se nga ana e kreditorëve "asnjëherë nuk u propozuan ulje pagash apo pensionesh", por vetëm reduktime ne shpenzimet për mbrojtjen.
Më tej, kreu i KE tha se pala greke i braktisi në mënyrë të papritur negociatat, të cilat po vazhdonin dhe asgjë nuk ishte finalizuar. “Nuk kam ndonjë propozim të ri për të bërë”, tha Juncker, duke shtuar ndërkaq se “porta është e hapur”.
Sipas kreut të KE, pala greke u largua nga negociatat në momentin më të keq të mundshëm. “Ishim gati të lëviznim male deri në momentin e fundit, kur autoritetet greke na e mbyllën portën”, tha ai.
Juncker e shfaqi hapur disa herë pakënaqësinë e tij për zhvillimet e fundit dhe posaçërisht për qëndrimin e palës greke, duke thënë madje se ai ndihet i tradhëtuar. “Ndihem i tradhëtuar sepse nuk u morën parasysh përpjekjet e mia personale”./Lapsi.al