Lajmet e fundit

Sulmuesi i Interit, Stevan Jovetic nuk i trembet Juventusit në sezonin e ri, pavarësisht se bardhezinjtë deri tani kanë bërë një merkato të “frikshme”. “Zonja e Vjetër” ka arritur të sigurojë shërbimet e Miralem Pjanic, Marko Pjaca, Dani Alves dhe Medhi Benatia, teksa pritet edhe zyrtarizimi i firmës me Gonzalo Higuain. Megjithatë 26-vjeçari mendon se edhe zikaltërit do të jenë të fortë në sezonin 2016-2017.
“Juventusi ka një skuadër të mirë dhe kanë firmosur me disa lojtarë të mirë, megjithatë nuk më shqetëson ky fakt. Mua më pëlqen të luaj kundër të tillave skuadrave.
Dëshirojmë ta nisim sezonin ashtu siç bëmë vjet, madje akoma më mirë. Synimi ynë është kthimi në Champions League. Nëse edhe Interi do të bëjë përforcime në merkato, jam i bindur se do të paraqitemi shumë mirë.”
Përsa i përket aspektit individual, Jovetic thekson se në sezonin e ri kërkon të bëjë performancë sa më të mirë.
“Po përpiqem të bëj një paraqitje sa më të mirë në fazën përgatitore, në mënyrë që të arrijë në nivele sa më të larta. Po punoj shumë që të kem sukses. Nuk më pëlqen të shikoj shumë nga e shkuara, pasi mendoj për të ardhmen. I njoh aftësitë e mia dhe se çfarë mund të bëj dhe për këtë jam pak i zhgënjyer me sezonin e kaluar. Megjithatë besoj se sezoni i ri do të jetë ndryshe.”
Në fund, Jovetic pohoi se asnjëherë nuk ka pasur dyshime për qëndrimin e tij te zikaltërit, pavarësisht zërave të merkatos që qarkullonin rreth të ardhmes së tij./Supersport