Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu, ka thënë se ndalimi i 103 222 teksteve mësimore që ishin të dedikuara për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe kthimi i tyre në Kosovë shënon shkallën e durimit të shqiptarëve në këtë pjesë.
Në këtë intervistë për “Epokën e re” Musliu ka kërkuar nga autoritetet e Shqipërisë dhe të Kosovës të ndërhyjnë në mekanizmat ndërkombëtarë që ta detyrojnë Serbinë të kthehen tekstet shkollore për nxënësit e shkollave fillore në Luginë të Preshevës.
Po ashtu, të njëjtën gjë ai e ka kërkuar edhe nga SHBA-ja, BE-ja dhe shtetet e tjera me ndikim në arenën ndërkombëtare, që të ndërhyjnë tek autoritet serbe për t’u kthyer librat shkollorë në Luginë.
“Diskriminimi që po ua bënë Serbia shqiptarëve në Luginë është i papranueshëm. Unë nuk e di se si po e toleron faktori ndërkombëtar këtë situatë, kur dihet që s’mund t’i ndalohet libri dikujt në shekullin 21”, ka thënë Musliu.
Sipas tij, me kthimin e teksteve mësimore nga Lugina e Preshevës po i vjen fundi gjithçkaje. “Ishin më shumë se 103 mijë tekste të cilat do të duhej të shkonin në duart e nxënësve. Prandaj, konsideroj se është momenti që Qeveria e Kosovës ta ngrehë zërin”, ka theksuar Musliu, duke bërë me dije se pa i bërë në mënyrë reciproke ligjet, në mënyrë që t’u ndalohen edhe serbëve librat nga Serbia, do të jetë i vështirë kthimi i atyre teksteve mësimore.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni
këtu.