Lajmet e fundit

Kosova dhe Serbia, sa më parë duhet ta lënë pas të kaluarën dhe të pajtohen në mes vete.
Kjo është kërkesa që Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe Boris Johnson, ka pasur për të dyja vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë fjalimit të tij nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.
“Kosova duhet të arrijë një raport normal me Serbinë, dhe këtë do ta diskutoj edhe në Beograd gjatë vizitës time atje”.
Ndonëse ai e kupton se mund të jetë e vështirë të arrihet pajtimi pas luftës që la pasoja, thotë se interesat e të dyja vendeve në mes vete, duhet t’a tejkalojnë të kaluarën.
“Nuk mund të presim nga shoqëria që t’i harrojë kujtimet nga lufta, por Kosova dhe Serbia kanë interesa të përbashkëta vitale dhe duhet vullnet i fortë politik që të arrihet pajtimi. Duhet shumë punë për t’i përmirësuar gabimet e mëparshme, dhe kjo mund të bëhet duke i dënuar kriminelët e luftës të të dyja palëve”, ka shtuar Johnson, raporton Klan Kosova.
Zyrtari i lartë britanik, po ashtu ka pasur një mesazh të rëndësishëm për Kosovën në raport me Dhomat Speciale që do t’i hetojnë dhe gjykojnë krimet e supozuara të luftës në Kosovë.
“Bashkëpunimi me Gjykatën Speciale është tejet i rëndësishëm për Kosovën, pavarësisht se sa e vështirë mund të jetë kjo”.