Lajmet e fundit

Me nderimet më të larta shtetërore e me entuziazëm të madh, kosovarët e pritën në një vizitë që u cilësua si historike, zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Vizita zyrtare bëjnë shpesh liderët e vendeve të ndryshme të botës në Kosovë, por vetëm një amerikan si Joe Biden, pritet me aq gëzim në shtetin pothuajse më pro-amerikan në botë.
Joe Biden, njeriu që i dha mbështetje të pakusht Kosovës në rrugën e shtet-bërjes, erdhi për vizitë i shoqëruar nga familjarët e tij, gruaja Jill, nipërit Hunter dhe Natallie dhe me gruan e djalit të tij të ndjerë, Beau Biden.
Për një vizitë si kjo, jo thjesht zyrtare e protokollare në mes liderësh shtetesh, por një vizitë plot emocione, pati një arsye të fortë.
Biden shquhet në mesin e amerikanëve si një njeri familjar, që s’harron kurrë t’i përmendë më të dashurit e tij në fjalimet më të rëndësishme të karrierës së vet, dhe këtë e dëshmoi edhe me vizitën në Kosovë.
Përveç se për t’i takuar kryeministrin Isa Mustafa dhe presidentin Hashim Thaçi, Biden pati edhe një mision tjetër kësaj radhe në Kosovë, të përurojë një rrugë të vendit që tash e tutje do të mbartë emrin e të birit të tij të ndjerë, Beau Biden.
Në Sojevë të Ferizajt, tash e tutje pranë kampit më të madh ushtarak në vend “Bondsteel”, sa herë që të kaloni andej pari, do të mund ta kujtoni Beau Biden, që i shërbeu siç tha babai i tij, më shumë dashuri Kosovës.
Kjo rrugë mori emrin e të riut Biden që në Janar të vitit të kaluar humbi betejën me kancerin, sepse ai i ndihmoi shumë Kosovës. Menjëherë pas luftës, në vitin 1998-99, Beau kishte ardhur në Kosovë në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE), për t’i trajnuar prokurorët dhe gjykatësit vendorë në rimëkëmbjen e sistemit të shkatërruar gjyqësor.
Për ardhjen në Kosovë dhe për përurimin e rrugës me emrin e djalit të tij për të cilin është gjithmonë krenar, Joe Biden ka shkruar edhe në rrjetin social Facebook. Aty thotë se Beau në Kosovë kishte pasur një rol të vogël, por ishte siguruar që krimet e luftës do të adresohen dhe do të dënohen.
Joseph Biden është krenar me të birin e tij për të cilin gjatë fjalimit në Bondsteel tha se u bë një njeri më i mirë se ai vetë.

“Gjithmonë kam qenë krenar për të, por kurrë s’isha më krenar se sa kur ishim bashkë në Kosovë. Beau jo vetëm që e dha veten në punë për Kosovën, por ai me të vërtetë erdhi duke i dashur njerëzit e këtij vendi, kulturën dhe historinë e mrekullueshme të Kosovës”, ka thënë Biden gjatë fjalës së tij në kampin ushtarak amerikan Bondsteel.
Në mesin e komentuesve në këtë postim të tijin në Facebook, përveç amerikanëve, pati edhe shqiptarë që e çmonin lart kontributin e kësaj familjeje dhënë për SHBA-të e Kosovën.
“Falë jush zëvendëspresident, dhe falë birit tuaj Beau Biden, Kosova është në një vend më të mirë. Ne gjithmonë do ta kujtojmë atë që ju, familja dhe shteti juaj keni bërë për ne. Ne të gjithë ju duam shumë. Shpresoj që biri juaj Beau po na shikon dhe po buzëqesh për nderimin që i bëmë. Zoti ju bekoftë juve, ashtu siç ju e bekuat Kosovën”, shkruan një komentuese shqiptare, Erza Xhelili.
Kurse, një tjetër shqiptar, Maloku Timmy shkruan: “Gjithmonë do t’ju jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ua dëshirojmë më të mirat familjes tuaj dhe SHBA-ve. Jemi të nderuar të kemi një kujtim të mrekullueshëm si ky i emrit të djalit tuaj në vendin tonë.
Vlerësim të madh për Beau Biden, kanë edhe amerikanët që e cilësojnë si një njeri të ndershëm.
“Çfarë nderimi për një njeri të mrekullueshëm”, shkruan amerikania Leslie Vinnedge Cournoyer, transmeton Klan Kosova. “Na mungon Beau”, thotë ajo.
“E merituar”, shkruan një tjetër amerikan, Shannon McGuigan-Jarvis.
“Ai ishte një njeri i mirë, sikurse babai i tij”, thotë Kathie Immordino.
Joe Biden, erdhi në Kosovë për herë të tretë gjatë karrierës së tij politike, sepse ai para se të vinte këtë herën e fundit, vendin e kishte vizituar edhe në vitin 2001 – bashkë me Beau Biden në Bondsteel kur ende nuk ishte zëvendëspresidenti në Shtëpinë e Bardhë – e po ashtu edhe në vitin 2009, kur në Kuvendin e Kosovës, pati thënë se “Pavarësia e Kosovës është e parevokueshme”, deklaratë që i gëzoi gjithë kosovarët.
Kësaj radhe, kur erdhi në Kosovë ai u takua vetëm me kryeministrin Mustafa e po ashtu edhe presidentin Thaçi, të cilëve për porosi ua la ta luftojnë korrupsionin e krimin e organizuar.

Qeveritari amerikan, kërkoi edhe që të ndalet dhuna në institucionet e vendit, e po ashtu që Marrëveshja me Malin e Zi dhe Asociacioni i Komunave Serbe, të bëhen.
Gjatë vizitës së tij të shkurtër në Kosovë, ai e tha edhe njëherë atë që gjithë zyrtarët e shtetit amerikan e kanë thënë: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithmonë do ta përkrahin Kosovën”.