Lajmet e fundit

Sindikatat kosovare nuk e kanë një qëndrim unik karshi nismës parlamentare për tërheqjen e parave nga Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (Trust).
Derisa Bashkimi i Sindikatave të Pavarura deklarohet pro, dy sindikata vartëse të saj, ajo e sektorit privat dhe ajo e arsimit, shkencës dhe kulturës, kërkojnë që kjo të bëhet vetëm me kushtin e rimbursimit nga qeveria. Ndërsa ajo e shërbyesve civilë zgjidhjen e vetme për krizën e sheh te rritja e pagave.
"Ne e përkrahim tërheqjen e parave nga Trusti. Kjo është kërkesë e anëtarësisë së përgjithshme të BSPK-së. Me anë të një sondazhi që e kemi bërë, ka dalë që mbi 90 për qind janë për tërheqjen e asaj pjese, kjo duke e marrë parasysh situatën e rëndë të punëtorëve në këtë kohë të vështirë të post pandemisë”, tha anëtari i kryesisë së BSPK-së, Nexhat Llumnica, për Klankosova.tv. “Kohë më e vështirë nuk do të jetë ndonjëherë".
E nënkryetari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, thotë se kjo sindikatë do garanci nga qeveria për rimbursimin e mjeteve.
"E mbështesim me kushtin që Qeveria e Kosovës të rimbursojë këtë për një interval kohor kur ata e parashohin. Pra, kur është e mundshme të ketë tërheqje të parave, por edhe të bëhet një rimbursim i të gjitha mjeteve. Duhet të ketë një fond të mjaftueshëm që punëtorët të kenë para kur të dalin në pension", ka thënë Ymeri për KlanKosova.tv.
Rimbursimin po e kërkon edhe Jusuf Azemi, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK).
"Nëse shteti e stimulon gjithë këtë, duhet të bëhet tërheqja. E nëse shteti nuk e stimulon, atëherë ka qenë mirë të lihet te punëtorët që të vendosin vetë ata nëse dëshirojnë t'i tërheqin paratë e tyre nga Trusti", ka thënë Azemi për KlanKosova.tv.
Por, krejt tjetër qëndrim ka Mursel Zymberi, që e drejton Sindikatën e Shërbyesve Civilë të Kosovës.
"Përderisa dikush i shfrytëzon paratë e Trustit tani, ka me lënë keq veten në kohën më të keqe. Qeveria do të duhej të gjejë një zgjidhje që të ngritë pagat me para të veta me e përmirësu jetën e punëtorit. Paratë e Trustit janë para tonat", ka thënë Zymberi.
Gjatë ditës së djeshme, shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se javën tjetër do të dalë në diskutim në Kuvend puna e Trustit.
Kjo, derisa Qeveria ka bërë me dije qysh para një muaji se nuk e përkrah tërheqjen e 30 përqind të mjeteve nga Trusti.