Lajmet e fundit

Programet e reja, me qëllim të përmirësimit të statusit të komuniteteve joshumicë, përmes projekteve të mbështetura nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Ambasada Amerikane në Kosovë, ishte tema kryesore në takimin e sotëm të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit për Komunitete dhe Kthim Dalibor Jevtiq në Prishtinë dhe Shefit të Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope.
Në takim u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer ndërmjet USAID-it, Ambasadës së Amerikës dhe Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Bashkëpunim që kërkon të përmirësojë pozitën e komuniteteve jo-shumicë si dhe të përshpejtojë procesin e kthimit në vitin e ardhshëm, siç thuhet se është qëllimi themelor i të gjithëve.
Tema kryesore e takimit të sotëm ishte nisja e një projekti të ri të USAID-it me emrin LEGO që synon forcimin e kapaciteteve të komunave jo-shumicë dhe pjesëmarrjen e komuniteteve joshumicë në procesin e vendimmarrjes, ndërtimin e institucioneve dhe ndikimin e rëndësishëm në shoqëri si një e tërë.
Projekti do të përfshijë të gjitha 10 komunat me shumicë serbe, si dhe komunat e Istogut, Klinës, Dragashit dhe Obiliqit. Gjithashtu i rëndësishëm është projekti që do të ndihmojë në sundimin e ligjit në drejtim të qasjes më të lehtë të pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë në gjyqësor në Kosovë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, siç theksoi Jevtiq, sepse problemi i pasurisë së uzurpuar është i madh në procesin e arritjes së të drejtave themelore të njeriut në Kosovë.
Në takim u diskutua gjithashtu për procesin e kthimit, të cilin Ministri për Komunitete dhe Kthim e vlerësoi si shumë të keq, veçanërisht në vitin 2017, transmeton Klan Kosova.