Lajmet e fundit

Ervin Koçi, deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, ka dorëzuar mandatin e deputetit.
Lajmin për tërheqjen nga kjo detyrë Koçi e ka dhënë në Facebook, ku nuk ka shpjeguar arsyen e largimit.
Në postim, Koçi shkruan se e ka ndërprerë detyrën e tij si deputet më datë 23 Mars, pas seancës së djeshme plenare dhe se dorëheqjen ia ka paraqitur Kreut të Kuvendit Ilir Meta dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçin, ku edhe ka falenderuar Edi Ramën dhe Ruçin, shkruan Lapsi.al.
Koçi përfaqësonte njësitë administrative Topojë, Dërmënas, Qendër, Libofshë dhe Mbrostar.
Letra e plotë e dorëheqjes së deputetit socialist, Ervin Koçi:
Nëpërmjet këtij statusi, ju vë në dijeni se dje më datë 23 Mars 2017 pas seancës plenare, kam ndërprerë detyrën time si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë duke i paraqitur dorëheqjen Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS në të cilën bëja pjesë.
Pas rreth 8 vitesh në këtë detyrë, gjej mundësinë të falenderoj për besimin dhe mbështjetjen e dhënë në këto vite të kryetarit të PS Edi Rama dhe drejtuesit të qarkut Fier Gramoz Ruçi,
por një falenderim i pamasë shkon për të gjithë banorët e Njësive Administrative Topojë, Dërmënas, Qendër, Libofshë dhe Mbrostar, ku kam patur nderin e veçantë për t’i përfaqësuar, për mbështjetjen e vazhdueshme dhe komunikimin qytetar në funksion të përmirësimit të mirëqënies së tyre.
Një falenderim vjen edhe për gjithë kolegët deputete në këto 8 vite të të gjithë spektreve politike me të cilët kam bashkëpunuar,
dhe në vecanti për ekipin e deputetëve të Qarkut Fier ku së bashku kemi kaluar shumë sfida, si dhe Komisionin e Ekonomisë dhe Financave me të cilën kemi debatuar e diskutuar për mjaft çështje profesionale të cilat më kanë ndihmuar të shfaqem e të rritem profesionalisht.
Mirënjohje të pafundme për gjithë bashkëpunëtorët e mi ndër vite, të cilët kanë qenë një suport i madh dhe i pazëvendësueshëm për kryerjen sa më mirë dhe me dinjitet të detyrës time,
dhe një ndjesë për cdo banor i cili ka patur më shumë pritshmëri prej meje e nuk i kam bindur me angazhimin tim, edhe pse jam përpjekur të bëj maksimumin për problematikat dhe kerkesat e komunitetit apo dhe me nevojat e tyre personale.
Njëkohësisht ju informoj se tërhiqem nga të gjitha angazhimet e mia politike dhe do të aspiroj për të marrë përgjegjësi publike si një mundësi e re për të dhënë kontribut të mëtejshëm si dhe për të vazhduar zhvillimin profesional.
Falenderime nga zemra e të pafundme për të gjithë ju miq, që keni qenë pjesë aktive dhe e pazëvendësueshme e të gjithë aktivitetit tim në këto vite.