Lajmet e fundit

Me mbi 94 për qind të votave të numëruara, Reccep Tayip Erdogan, kryeson në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të së dielës në Turqi.
Ai ka marrë mbi 50 për qind të votave që i duhen për t’u rizgjedhur President ndërsa rivali Muharrem Ince, 30 për qind.
Përveç presidencës, zgjedhësit votuan edhe për anëtarët e Parlamentit dhe po sipas mediave shtetërore turke, partia e Erdoganit kryeson edhe këtu.
Partia e tij, Drejtësi dhe Zhvillim kryeson me 55 për qind të votave të numëruara deri më tani, raporton media shtetërore, ndërsa opozita CHP ka 14 për qind të votave.
Këto zgjedhje konsideroheshin si sfida më e madhe elektorale për Erdoganin në 15 vitet e tij në pushtet.
Rreth 60 milionë zgjedhës kishin të drejtë vote.
Erdogani fitoi me vështirësi një referendum në vitin 2017 për të kaluar nga sistemi parlamentar në një presidencë të fuqishme ekzekutive.
Presidenti, pas këtyre zgjedhjeve, do të ketë fuqi shtesë.
Roli i kryeministrit shkrihet dhe Presidenti merr autoritetin e lëshimit të ligjeve përmes dekreteve.
Turqia mbetet në gjendje të jashtëzakonshme të vendosur që pas grushtit të dështuar të shtetit në korrik 2016. Këto zgjedhje do të mbaheshin në nëntor të vitit të ardhshëm, por Erdogani i shpejtoi ato.
Zgjedhjet u zhvilluan nën masa të lartë sigurie.
Vetëm në Stamboll, 38 mijë policë ishin në detyrë gjatë ditës.