Lajmet e fundit

Hashim Thaçi, presidenti i zgjedhur i Kosovës, ka deklaruar se gëzon legjitimitet të plotë nga qytetarët e Kosovës. Ai në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, tha se është lideri më i votuar në Kosovë e ka qenë fitues i zgjedhjeve në dekadën e fundit.
Ndër të tjerash ai po ashtu tha se do të ketë rol unifikues, e nuk do ta përçajë popullin politikisht, edhe pse vjen nga një parti politike, pasi më parë ishte kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, post ky nga i cili hoqi dorë.
Thaçi gjatë intervistës në Info Magazine, po ashtu ka listuar prioritetet që do t’i ketë me të marrë postin.
“Të gjithë presidentët e deritanishëm ishin politikë, përveç presidentes Jahjaga. Unë vij me një legjitimitet të fuqishëm qytetar, si lideri më i votuar në dekadën e fundit pas 6 palë zgjedhjeve të fituara. Si kryetar i PDK-së në rolin kryeministror u kam shërbyer qytetarëve, ndërsa tani do të fokusohem në rolin tim unifikues, rol që ma kërkon kushtetuta”.
“Do të vazhdoj me themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe të punoj maksimalisht për përshpejtimin e procesit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Do të përkushtohem që të implementojmë të gjitha marrëveshjet për fqinjësi të mirë me Serbinë.
Do të vazhdoj të garantoj funksionimin normal të institucioneve, të kultivoj një dialog të brendshëm partiak”.
“Dialogu i brendshëm është i pari që duhet të ndodhë. Sa i përket dialogut me Serbinë ka hapësirë që të përmirësohen gjërat. Opozita nuk është kundër dialogut me Serbinë, por vetëm e mendon ndryshe.
Është jetike përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, nuk është vetëm në interesin e këtyre dy vendeve, por në interesin e të gjithëve”.
“Do ta mbështes fuqishëm procesin e dialogut”.
“Prioritet i imi do të jetë dialogu i brendshëm politik, uniteti qytetar, garantimi i funksionimit normal të institucioneve, do ta përfaqësoj vendin jashtë, dot ë sigurohem që të ketë zhvillim ekonomik e do të mundohem ta ndërtoj në Kosovë evropiane, me të cilën do të jenë krenarë të gjithë”, ka deklaruar Thaçi.