Shkrimtari dhe publicisti i njohur Ben Blushi rikthehet me një roman të ri me titullin “Jam Mysliman”, një vepër që pritet të ngjallë debat për temën dhe mënyrën e trajtimit të saj.
Vetë autori e ka prezantuar librin me një shënim ku shpjegon se, ndonëse është ateist, ka zgjedhur një titull që mund të befasojë shumëkënd.
“E di që shumë njerëz do habiten me titullin e romanit tim të ri, por nuk është kjo arsyeja pse e kam shkruar. Unë jam një ateist dhe fjalia Jam Mysliman duket sikur nuk shkon në gojën time. E megjithatë, unë mendoj se shkon”, shkruan Blushi.
Sipas autorit, romani rrëfen historinë e një shkrimtari që, pas shumë peripecive personale, vendos të përqafojë fenë islame. Pikëpamjet e tij për Islamin ndryshojnë me kalimin e kohës, sidomos pas një vizite në Mekë, ku përjeton një transformim të thellë shpirtëror.
Në fund të historisë, pas një incidenti me një grup fanatikësh, protagonisti shpall në Facebook vendimin e tij për të bërë hapin e madh, duke shkruar: “Jam Mysliman” – frazë që i ka dhënë edhe titullin librit.
“Shpresoj shumë që romani të lexohet siç është, pra si letërsi dhe asgjë tjetër”, shton Blushi.
Romani “Jam Mysliman” do të promovohet të hënën pasdite, ndërsa nga e marta do të jetë i disponueshëm në të gjitha libraritë dhe në Panairin e Librit. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.